
Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa ndaj një punonjësit të policisë ka nisur procedimi penal, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin shtetas të ndryshëm me probleme në zonën Shengen, kundrejt pagesave të konsiderueshme deri në 3.000 euro.
Operacioni i koduar “Sekseri” mësohet se është finalizuar pas një periudhe 3-mujore hetimi.
Sipas policisë, dy persona e vënë në pranga janë shtetasit:
- B.D., 44 vjeç, lindur e banues në Durrës, me detyrë punonjës në Zonën e Terminalit, i një shoqërie të kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës. Ky shtetas, në rolin e sekserit, organizonte dhe ndërmjetësonte me punonjës policie, duke krijuar kushte për kalim të paligjshëm të personave me probleme në zonën Shengen. Në cilësinë e provës materiale në momentin e arrestimit, iu sekuestrua vlera prej 1.300 euro, vlerë e përfituar nga kalimi i paligjshëm i shtetasit.
- T.D., 28 vjeç me banim në Durrës, me detyrë agjent doganor i një agjencie doganore private, në rolin e bashkëpunëtorit, i cili ndihmonte në gjetjen e klientëve për kalime të paligjshme. Iu kapën dhe sekuestruan 500 euro.
Ndësa ndiqet në gjendje të lirë punonjësi i policisë V.C., 32 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës. (A2 Televizion)