
Gjykatat kanë aplikuar 4 standarde në verifikimin e mandateve të kryebashkiakëve. I pari standard ishte në vijim të traditës, ku krybashkiakut i pranohej kërkesa dhe mund të merrte detyrën pa asnjë lloj problemi.
Kjo ndodhi në pjesën më të madhe të bashkive, përfshirë dhe ata ku kishte garuar Bindja Demokratike.
Standardi i dytë u aplikua nga gjykatësja e Durrësit Mimosa Margjekaj, që shpalli të pavlefshëm procesin zgjedhor me fituese Valbona Sakon. Një tjetër interpretim i bëri këtij detyrimi Gjykata e Vorës, që çështjen e kaloi në Gjykatë Administrative.
Por cili është i sakti? A2 CNN pyeti deputetët juristë të Kuvendit të Shqipërisë. “Në rastin e Vlorës është një gabim flagrant ai i gjyqtarit që e ka shqyrtuar. Në çdo rast është Dhoma Civile e Gjykatës së vendbanimit të atij që kërkon certifikimin e mandatit. Ai vendim nuk ka asnjë sens logjik dhe juridik”, Adnor Shameti, i PS.
“Gjykatat e Faktit në këtë rast kanë vetëm kontrollin e paraqitjes së dokumentacionit me personit. Duhet të kuptojmë njëherë çfarë roli kanë. Vendimi i dhënë nga Gjykata e Durrësit është një vendim i jashtëligjshëm”, tha Arben Pëllumbi, deputet i PS.
“Ka edhe shkallë të tjera që do të ndiqen procedurat. Ne kemi qenë kundër zgjedhjeve me një parti dhe gjykatat do të vendosin variantet e tyre”, tha Halit Valteri.
Vendimi i Margjekajt do të kishte vlerë vetëm në një rast. “Në rastin kur një vendim KQZ e ka shpallur kryetar një kandidat të caktuar, është ankimuar në Kolegjin Zgjedhor dhe nuk ka përfunduar akoma. Në këtë rast e ndërpret procesin dhe pret të ketë zgjidhje përfundimtare”, u shpreh Shameti.
Standardi i katërt i gjykimit u aplikua të premten, kur për herë të parë verifikimin e mandatit e kryebashkiakut kërkoi subjekti politik dhe jo kandidati fitues. (A2 Televizion)