30 vite Parti Republikane. Si filloi dhe për çfarë lufton sot një republikan?

Nga A2 CNN
12 Janar 2021, 20:47 | Politikë
30 vite Parti Republikane. Si filloi dhe për çfarë lufton sot

Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, në studion e “Ditari” në A2 tregoi kontributin që ka dhënë kjo parti në 30 vite ekzistencë në politikën shqiptare.

“Partia Republikane lindi si parti antikomuniste, bashkë me Partinë Demokratike. Falë edhe mendjendriturit Sabri Godo, ndërtoi një profil politik të qartë. Ky profil bazohej në identitetin politik të së djathtës, duke kaluar nga një parti antikomuniste në një parti që besonte te liritë dhe të drejtat. Në këtë kuadër, një nga liritë themelore është e drejta e pronës private dhe PR-ja ka mbështetur që nga fillimi i saj pronarët e ligjshëm. Për fat të keq, mentaliteti komunist i klasës politike shqiptare e ka parë pronën si aset elektoral, i ka parë qytetarët si numra elektoralë dhe e kanë cenuar thellë të drejtën e pronës private në vend. Kjo ka krijuar problem shumë të madh social dhe politike, për më tepër kanë frenuar zhvillimin ekonomik të vendit. PR-ja ka qenë këmbëngulëse për të drejtat e pronarëve. Por, jo vetëm kjo. Ka pasur edhe çështje të tjera që PR-ja i ka mbështetur fuqimisht dhe ka dhënë kontribut. Kjo parti ka dhënë kontribut të veçantë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vlerësuar nga kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, dhe partnerët ndërkombëtarë.
Gjithashtu, PR-ja ka evoluar me mbështetjen që i ka dhënë biznesit. Çdo sulm që i bëhet biznesit është në dëm të interesave të vendit. Unë mendoj që taksat e ulëta ndihmojnë, nga ana tjetër duhet reformë rregullatore për biznesin, që të mos humbasë në shkallët e burokracisë dhe korrupsionit”, tha Mediu.

“Historia e të djathtës është historia e atyre që u persekutuan sepse ishin antikomunistë dhe atyre që besonin në Zot. E djathta e këtyre 30 viteve është një histori për të cilën duhet të ndihemi krenarë, në një kohë që e majta, sidomos kjo e fundit, është tërësisht regresive, që nuk njeh as Kushtetutë dhe as të drejta”, shtoi Mediu.

Në lidhje me rotacionin politik, që është objektivi i opozitës së sotme, Mediu nënvizoi se për ta arritur synimin “opozitës i vlejnë të gjitha ato kapitale njerëzore që kanë bërë historinë politike të këtyre 30 viteve”.

“Pjesa më e madhe e tyre sot janë thjesht kontribues, nuk kanë pretendim. Këto janë asete të vlefshme politike. Nëse duam të bashkojmë shoqërinë shqiptare sot, duhet të konsiderojmë të bashkojmë veten tonë në radhë të parë. Duhet vëmendje karshi rinisë dhe femrave, që të mos i shohim vetëm si numra në Parlament. Duhet të kemi një paketë-kontratë që të tregojë se kush janë idetë për të ndryshuar qeverisjen në vend. Duhet ta sjellim ne këtë frymë, të bëjmë një ndryshim rrënjësor kësaj radhe. Për të rritur angazhimin e qytetarëve në politikë, duhet t’i njohim ata me këtë kontratë. Unë kam bindjen se mund të krijojmë qeverisje shumë të aftë duke afruar njerëz që kanë kontribute dhe vlera. Duhet një qeverisje që tejkalon interesat politike të lidershipit dhe një koalicion që maksimalizon votat në mandate. Sepse Rama nuk do të ndalojë përpara asgjëje për të mbajtur pushtetin”, u shpreh Mediu.

Në lidhje me listat e opozitës, kreu i PR-së theksoi: “Edi Rama ka kërkuar që të përçajë opozitën dhe ne nuk e kemi komoditetin që të presim për koalicionin. Mendoj që duhet të ketë dy koalicione brenda opozitës. Një koalicion që është deklaruar dhe një që do ta ndërtojë Partia Demokratike. Kjo është më efikase sepse kjo nuk pengon që në zona të caktuara elektorale të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. LSI-ja ka qasje të majtë dhe PD-ja të djathtë, prandaj ka skeptikë në mes. Për këtë arsye duhet një platformë gjithëpërfshirëse. Duke parë terrenin politik, nivelin e krimit dhe korrupsionit, devijimin nga aksi euroatlantik, ndërtimin e autoritarizmit, opozita ka detyrë të parë garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të krijuar besimin e shqiptarëve që vota e tyra ka vlerë. Ajo që shpresoj, është që në mënyrë urgjente të konceptojmë kandidatët në çdo zonë elektorale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos