
Në ambientet e repartit RENEA në Yzberisht është mbajtur mëngjesin e sotëm një ceremoni e posaçme me rastin e 30-vjetorit të krijimit të repartit.
Të pranishëm në ceremoni ishin Drejtori i Policisë, Gledis Nano dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, të cilët vlerësuan punën e strukturës, ndërsa dhanë mbështetjen e institucionit për këtë repart.
“Operacionet e repartit elitë të Policisë së Shtetit janë histori suksesi sepse kanë pasur në fokus situata pengmarrjesh, neutralizim bandash dhe grupesh terroriste. Ndihemi krenarë për RENEA-n”, tha Nano.
Ndërsa ministri Çuçi u shpreh: “Gjatë jetës sime, kam mësuar se njerëzit mund të harrojnë se çfarë është thënë apo çfarë është bërë, por ata nuk do të harrojnë asnjëherë se si i keni bërë të ndihen. Sot, jo vetëm Policia e Shtetit në përgjithësi, por forcat RENEA në veçanti kanë bërë që qytetarët e këtij vendi, dhe të gjithë ne, të ndihemi më të sigurt dhe komod në shtëpitë, rrugët dhe punët tona”. (A2 Televizion)