Pas analizave në të 12 drejtoritë e policisë, statistikat tregojnë rritje të veprave penale, ndërsa numri i tyre për vitin 2021 është 34 mijë.
Për ekspertët ky numër është shqetësues, kjo pasi tregon se në një ditë konsumohen mesatarisht 10 vepra penale, ndërsa numër më të lartë njohën dhe vrasjet me 62 të tilla.
“Kemi nëntë deri në 10 krime në ditë në Shqipëri, është një shifër më e lartë në krahasim me Rajonin, kemi pasur edhe një shtim të vrasjeve dhe kjo shpjegohet edhe me faktin që në dy vite pandemi pati distancim, nuk vinin më nga jashtë shtetit, kështu që pritej shtimi gjatë vitit 2021, por kemi bilanc lufte për aksidentet rrugore, 191 të vdekur, por edhe vjedhje veçanërisht në zona ku ka probleme sociale më të theksuara”, thotë për A2 CNN eksperti Ervin Karamuço.
Sipas Karamuços, një situatë e tillë e kriminalitetit ka sjellë dhe kundërpërgjigjen e policisë e cila ka nxjerrë në terren dhe forcat special si ato Renea.
Sa i përket ngjarjeve kriminale, Vlora, Durrësi dhe Tirana kanë rezultatin më të ulët në zbardhjen e tyre me 79, 80 dhe 89 për qind, ndërsa qarku më i suksesshëm është Korça. Ashtu si dhe në analizat e tjera ndër vite edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Nano e vuri theksin te goditja e narkotikëve si një ndër sfidat e tij. (A2 Televizion)