“4 të vrarët e 21 janarit nuk janë dëshmorë”, Daci: Që të rihapet hetimi duhen prova të reja

Nga A2 CNN
21 Janar 2021, 13:50 | Aktualitet
“4 të vrarët e 21 janarit nuk janë

“Rihapja e hetimit për 4 të vrarët e 21 janarit është keqpërdorim i pastër politik i një ngjarjeje të rëndë”. Kështu e sheh juristi, Jordan Daci, kërkesën e policisë drejtuar prokurorisë. I ftuar në “Ditari” në A2 CNN ai thotë se që të rihapet hetimi duhet të ketë një provë të re dhe kjo kërkesë e policisë është vetëm retorikë.

"Ishte protestë e dhunshme disa janë vrarë me plumba rikoshetë. Edhe rasti konkret është keqpërdorim i pastër i një ngjarje të rëndë. Askush nuk pajtohet me vrasjen, por ata njerëz u shtynë në dhunë për të kryer veprime antikushtetuese nga mazhoranca për të ardhur në pushtet. Duhet një provë e re, e fakt i ri që të rihapet hetimi. Kjo kërkesë e policisë është vetëm retorikë. Për sa kohë nuk ka zhvillim që të hedhë dritë mbi një fakt të ri, nuk rihapet hetimi. Kjo kërkesë është një show se janë parashkruar edhe veprat penale përveç vrasjes me dashje, se mungon motivi për të vrarë protestuesit. Ata ishin në mbrojtje të institucioneve”.

Sipas tij, që me krijimin e OFL-së, mazhoranca ka përmbysur raportin Polici-Prokurori dhe e ka kthyer vendin në shtet policor, duke e përdorur policinë dhe duke i bërë presion drejtësisë.

“Ne jemi kthyer në shtet policor. Policia duhet t’i nënshtrohet udhëzimeve të prokurorit dhe jo e kundërta. Absolutisht jo! Po kjo është përmbysur që me OFL e famshme u përmbys raporti dhe policia po përdoret si një organ hetimi. Faktorizim dhe përdorim i policisë. Kjo mazhorancë zgjedh mekanizmat që ka nën kontroll për t’i bërë presion dhe për të përdorur një fatkeqësi të nxitur nga ata vetë. Është përdorim i çështjes për 10 vite me radhë. Fatkeqësisht drejtësia është nën sulm prej kohësh nga kjo mazhorancë”.

Juristi Daci thotë se 4 viktimat e shpallura dëshmorë nga kryeministri Rama sot nuk janë të tillë pasi ata nuk ranë për të mbrojtur atdheun, por janë viktima dhe dy prej tyre janë vërtetuar që janë vrarë aksidentalisht nga rikoshetë.

“Ata nuk janë dëshmorë, por janë të vrarë aksidentalisht. Dy nga viktimat janë vrarë aksidentalisht nga rikoshetë, ata nuk janë dëshmorë. Dëshmorët janë ata që bien në mbrojtje të atdheut, ata janë viktima, por jo dëshmorë”.

Për Dacin, kjo çështje nuk i përket SPAK-ut, por presioni bëhet që të shmanget hetimi i cili do të prekte anëtarë të kësaj mazhorance. Ky presion, thotë ai nuk është pjesë e shtetit të së drejtës, por përdor politikën.

Sa i takon ngritjes së Gjykatës së Lartë, Daci shprehet se KLGJ-ja po vonon ngritjen e Gjykatës së Lartë për shkak të presionit që ka nga mazhoranca.

“Është një presion i institucionit të KLGJ që po vonon ngritjen e Gjykatës së Lartë, e cila zgjidh ngërçin. Nuk kuptoj pse s’ka reagim. KLGj po e bllokon pa arsyetim ngritjen. Përpjekje e mazhorancës për të mos lejuar funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk do të donte të merrte një kosto politike që të merreshin disa vendime. Nëse do kishte një kuvend të drejtë e mirinformuar duhet të kishin marrë përgjegjësi, një pjesë duhet të ishin shkarkuar se janë bërë pengesë për reformimin e Gjykatës së Lartë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos