
15-24 vjeçarët janë më të infektuarit këto dy javët e fundit. Alarmi i ngritur nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në studion e "Absolut 4", tregon se moshat e reja nuk janë të paprekshme nga Covid-19.
Grumbullimet masive dhe frekuentimi i lokaleve kanë qenë dy nga faktorët kyç për përhapjen e koronavirusit në vend si dhe në këto grupmosha. Por, në një këndvështrim tjetër i sheh shifrat epidemiologu Ilir Alimehmeti.
Sipas tij, kjo moshë nuk është testuar sa duhet. “Nuk i kemi testuar më parë. Në Itali 12.1% e rasteve janë nga mosha 0-19. Presim që në Shqipëri të kemi 2-fishim dhe 3-fishim të rasteve në moshat e reja”, thotë epidemiologu.
Përhapje e lartë e Covid-19 gjatë këtyre ditëve është raportuar edhe në rrethe. Alimehmeti thotë se krahasimet duhen bërë ndryshe.
“Në qoftë se shkojmë te rastet për 1000 testime, Tirana nuk është e para, por e fundit. Kalkulimet e përditësuara tregojnë që në Tiranë ka 140 raste, ndërsa në Fier, për shembull, ka rreth 658 raste”, shton ai.
Alimehmeti sugjeron hapjen e plotë të shkollave dhe universiteteve dhe këshillon që më shumë kujdes të bëhet në familje, pasi mundësia e përhapjes së virusit është 6 deri në 7 herë më e lartë aty, se në institucionet arsimore. (A2 Televizion)