
Sali Berisha kërkoi që Rozeta Dobi të lirohet nga qelitë e paraburgimit dhe të shpallet bashkëpunëtore e drejtësisë. Sipas Sali Berishës, Alda Klosi është simbol i korrupsionit qeverisë dhe bëri thirrje për revolucion.
Sali Berisha ka bindjen se 400 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit të sanitares Rozeta Dobi janë të zyrtarëve të lartë të mazhorancës, ndaj ngjarjen e cilëson si shëmbëlltyrë të korrupsionit qeverisës në vend.
“Fytyra e vërtetë e qeverisë së Edi Ramës është Alda, e cila vjen në Tiranë me një apartament 40 metra katrorë dhe përfundon me 7 apartamente, troje, leje ndërtimi dhe kushedi sa para ka në Dubai në kontot e Arban Ahmetajt apo të Edi Ramës me radhë”, u shpreh Berisha.
Nga selia e PD-së, Berisha kërkoi që sanitarja Rozeta Dobi e akuzuar për vjedhjen e shumave të konsiderueshme në banesën e ish-zyrtares së lartë të Ministrisë së Financave, Alda Klosi, duhet të merret në mbrojtje si bashkëpunëtore e drejtësisë. Kryedemokrati akuzoi ekzekutivin se po ushtron presion që origjina e parave të mbetet sekret.
“Rrëzojnë jo një, por tri qeveri. Edi Rama kalon sikur s’ka ndodhur asgjë. Në vend të një dorëheqjeje të menjëhershme, vazhdon mashtrimin përditë ndaj qytetarëve, atëherë fjala u takon qytetarëve. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç se një revolucioni të vërtetë për të përmbysur këtë regjim të pashembullt”, theksoi Berisha.
Krahas thirrjeve për revolucion, Sali Berisha akuzon kundërshtarin politik se po përdor edhe uniformat blu në funksion të Partisë Socialiste dhe si shembull mori darkën ndërmjet Edi Ramës dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit.
“Darka është në shkelje absolute flagrante mbi ligjin për statusin e policisë dhe çdo ligji e parimi tjetër. Darka ishte një eveniment kriminal elektoral, pasi ai nuk ka ndërmend të veprojë ndryshe, përveç se të shkelmojë votën e qytetarëve”, vijoi Berisha.
Një tjetër sfidë, para asaj të zgjedhjeve, është regjistrimi i PD-së në garë, pronësia e së cilës mbetet ende për t’u caktuar nga gjykata.
“Asgjë në botë, përveç vullnetit të sëmurë politik të Edi Ramës nuk mund të ndalonte regjistrimin e kësaj force politike në regjistrin e partive politike. Atë e ndalon Edi Rama”, theksoi kreu demokrat. Të turpshme quajti edhe mungesën e vullnetit nga Lulzim Basha për të njoftuar gjykatën mbi dorëheqjen e tij, por këtë thotë se e sheh si pjesë të bashkëpunimit mes ish-kryedemokratit dhe kryeministrit Rama. (A2 Televizion)