5 etapa dhe 10 ekipe të huaja, nis Turi i 78 i Shqipërisë

Nga A2 CNN
24 Maj 2021, 14:08 | Sporte të tjera
5 etapa dhe 10 ekipe të huaja, nis Turi i 78 i Shqipërisë

Nisi këtë të hënë edicioni i 78 i Turit Çiklistik të Shqipërisë. 10 ekipe nga vende të ndryshme të Evropës, krahas sportistëve vendas, kërkojnë suksesin në aktivitetin më të rëndësishëm kombëtar, që shtrihet për 5 ditë në itinerare të ndryshme të rrugëve të Shqipërisë.

Rrugët e Shqipërisë i lënë vendin për pesë ditë me radhë edicionit të 78 të Çiklizmit, aktivitetit më të rëndësishëm të këtij sporti në rang kombëtar. Përmes pesë etapave në terrene të ndryshme, që përfshijnë interare si ai nga kryeqyteti në Korçë, më pas në destinacionet Elbasan, Vlorë, Përmet dhe Fier, dhjetra çiklistë, kryesisht të huaj, kërkojnë suksesin, duke përfituar edhe nga fakti që turi i këtij viti ka më pak pjesëmarrës, shkak për të cilin mbeten masat e pandemisë.

Nga çiklistët nga Kosova, ata të vendeve të rajonit, e përtej kufijve të Ballkanit, do të jenë 85 sportistë në kërkim të suksesit dhe thyerjes së rekordit të italianëve, të cilët triumfojnë në turin shqiptar prej 4 vitesh me radhë.

Turi Çiklistik i Shqipërisë shpall fituesit më 28 maj, pas vijës së finishit në qytetin e Fierit, atje ku mbyllet etapa e pestë dhe e fundit e turneut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos