
Kështu e nisi mesazhin e tij të fundit presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, duke i bërë homazh mbrojtësve të qytetit, në ditën e 50 të luftës kundër Rusisë.
"Ne kemi rezistuar për 50 ditë. 50 ditë të agresionit rus, edhe pse pushtuesit na kishin dhënë maksimumi 5 ditë. Kjo periudhë, këto 50 ditë na treguan udhëheqësit perëndimor në një mënyra të ndryshme. Kam parë politikanë të sillen sikur të mos kishin pushtet, dhe kam parë jopolitikanë që kanë bërë më shumë në këto 50 ditë nga ç’kanë bërë disa burra shteti që pretendojnë lidershipin”.
Në një intervistë dhënë më herët për BBC, presidenti ukrainas akuzoi shtetet europiane që vazhdojnë të blejnë naftën ruse, se po i fitojnë paratë me gjakun e popujve të tjerë. Ai përmendi Gjermaninë dhe Hungarinë, të cilat siç tha, po bllokojnë përpjekjet për embargo të burimeve të energjisë, që i sigurojnë Rusisë 250 miliardë fitime në vit.
Në intervistën për BBC, Zelensky tha se krimet e kryera nga trupat ruse në Mariupol dhe në qytezat e Buchas dhe Borodjankës ka reduktuar mundësinë e bisedimeve të paqes me rusët. Sakaq, Kievi dhe Moska shkëmbyen ushtarë të kapur rob në rajonin e Kherson në Ukrainën jugore.
Forcat e armatosura të Ukrainës thanë se 4 të burgosur rusë ishin këmbyer me 5 ushtarë ukrainas në fshatin e Posad-Pokrovske. Në ditën e 50 të luftës, luftimet vijojnë në lindje të vendit, por shpërthime u raportuan edhe në kryeqytetin Kiev dhe Kherson.
U bombarduan gjithashtu zonat rezidenciale të Kharkiv, ku sipas autoriteteve janë shënuar deri më tani mbi 500 viktima civile. Moska sakaq vijon të akuzojë trupat ukrainase për sulme në territoret kufitare ruse.
Autoritetet ruse pranuan se luftanija që po udhëhiqte ofensivën detare në Detin e Zi ishte fundosur, sipas tyre pas dëmtimit nga një shpërthim në bord. Po Ukraina pretendon se kryqëzori “Moskva” ishte fundosur pas sulmit me raketa Neptun nga ushtria e Kievit. (A2 Televizion)