Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK, reagon Osmani: Drejtësia do të triumfojë

Nga A2 CNN
6 Prill 2023, 11:08 | Kosova
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK, reagon Osmani: Drejtësia do

Jam e sigurt që drejtësia do të triumfojë! Heshtjen e këtyre ditëve lidhur me gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, presidentja Osmani e ka thyer për gazetën austriake “Die Press”, ku tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbrojti vendin nga regjimi gjenocidal i Miloshevicit.

“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë dhe se fundi i këtij procesi do ta konfirmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare në mbrojtje të njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Slobodan Milosheviçit”, tha Osmani.

Në intervistën për Die Press, Osmani akuzoi ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç se po shkel marrëveshjen për normalizim të raporteve dhe paralajmëroi mbi përpjekjet e Moskës për destabilitet.

“Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë së fundmi në Vjenë se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Neni 4 aty e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Rusia ka një ndikim negativ në rajon, të cilin po përpiqet ta destabilizojë me ndihmën e aleatit të saj, Serbisë”, u shpreh presidentja.

Sipas Osmanit, suksesi në zbatimin e marrëveshjes që trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta, do të sjellë më shumë stabilitet në rajon dhe do afrojë dy vendet me BE-në. Duke iu referuar paralajmërimit të Daçiç, se Beogradi do të ndërmarrë hapat e ardhshëm për zbatimin e planit vetëm pas formimit të asociacionit, Osmani theksoi se diçka e tillë nuk është e parashikuar në marrëveshje. Ajo përsëriti se vija e kuqe për Kosovën sa i përket asociacionit, janë kompetencat ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos