
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar në Bruksel lidhur me tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.
Diçka e tillë është konfirmuar nga zyrtari serb, Petar Petkoviç, në përfundim të takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kryenegociatori i Beogradit njoftoi se dokumenti do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë mes presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Albin Kurti.
Petkoviç shtoi se ka treguar kujdes të veçantë në shmangien e përdorimit të termit “të zhdukurit me dhunë”, siç tha ai për të mos rrezikuar interesat e Serbisë në konventën ndërkombëtare.
“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh”, nënvizoi ndër të tjera kryenegociatori i Serbisë. (A2 Televizion)