
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josef Borrell, konfirmoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë arritën pajtueshmëri më 4 prill, për deklaratën lidhur me personat e pagjetur. Në bisedimet e zhvilluara të martën në Bruksel, Kosova u përfaqësua nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Përmes një postimi në Twitter, Borell ka thënë se planifikohet që teksti i deklaratës për personat e pagjetur të miratohet në takimin e radhës të nivelit të lartë.
“Kosova dhe Serbia janë zotuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit. BE-ja pret që të dyja vendet të zbatojnë obligimet dhe të nisin sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim. Përmbushja e zotimeve përkthehet në përparim drejt rrugës së tyre evropiane”, u shpreh Josep Borrell.
Një ditë më parë, Bislimi deklaroi se takimi i nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, do të mund të zhvillohet më 22 prill. Por Borrell nuk përmendi asnjë datë.
Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe për planin e zbatimit më. Edhe ose nuk ka pasur firmosje të dokumenteve, BE-ja ka thënë se marrëveshja është e detyrueshme. Ndër të tjera, ajo i kërkon palëve të zbatojnë të gjitha ujditë e arritura deri më tani si pjesë e dialogut për normalizim të marrdhënieve. Në të përfshihet, marrëveshja për personat e pagjetur, por edhe ajo për krijimim e asociacionit të komunave me shumicë serbe. (A2 Televizion)