
Hallkat e gjyqësorit nuk dallojnë nga njëra-tjetra. Gjyqi kushtetues ndaj Presidentit Meta nuk shkoi drejt fundit as në seancën e dytë, duke u shtyrë për ditën e hënë.
Këtë të enjte, ishte radha e kreut të shtetit për të dhënë qëndrimet përpara trupës gjykuese. Përfaqësuesi ligjor kishte marrë me vete 170 faqe materiale, ku si konkluzion kishte një qëndrimin, shkarkimi i Metës ishte hakmarrje politike.
Bledar Dervishi: Procesi hetimor kishte për qëllim vetëm hakmarrjen politike ndaj kreut të shtetit. Procesi i nisur politikisht për t’u hakmarrë ndaj tij dhe për të shmangur vëmendjen nga problematikat që kishte procesi zgjedhor
Drojës nëse gjykata mund të vendos pro shkarkimit, Bledar Dervishi i dha përgjigje duke cituar fjalët Ilir Metës.
“Presidenti është krenar që ka mbrojtur dhe do të mbrojë deri në 24 korrik sovranitetin dhe interesat e Republikës të Shqipërisë”.
Dy orë parashtrime nuk qartësuan gjyqtarët të cilët i drejtuan 72 pyetje. Dy prej tyre duket se ishin një mesazh ndaj gjuhës së përdorur nga Meta për institucionet e tjera.
Përparim Kalo: Gjykata ka pasur një vit tejet të ngarkuar pune, ndërkohë Presidenti ka vënë publikisht në diskutim punën e gjyqtarëve kushtetues. A mendoni se kjo përfshihet në kompetencat e kreut të shtetit?
Marsida Xhaferllari: A keni pasur ndonjë reagim apo edhe kallëzim penal për ndërhyrjen në punën e organeve të pavarura?
Pyetjet nuk morën dot përgjigje pasi përfaqësuesi ligjor i presidentit kërkoi 48 orë kohë për t’i konsultuar me Ilir Metën. Kërkesa u aprovua nga gjykata duke vendosur vijimin e gjykimi kushtetues ditën e hënë. (A2 Televizion)