
Partia Socialiste ka vendosur të emërojë Emirajana Sakon, aktualisht kryetare në detyrë, si kandidaten e saj për zgjedhjet vendore të 6 marsit. Socialistët gjithashtu kanë vendosur të garojnë në Shkodër me njëtjetër grua, Majlinda Angonin, aktualisht prefekte të qarkut Shkodër.
Për Bashkinë Dibër, PS garon me Rrahim Spahiun, ndërsa në Rrogozhinë, me Edison Memollën, aktualisht kryetar i komanduar. Për Bashkinë e Vorës, PS kandidon arsimtarin Blerim Shera, ndërsa e fundit që u zgjodh ishte kandidatja për Bashkinë e Lushnjës, Eriselda Sefa. Kandidatura e Sefës sipas PS, mori mbështetjen më të madhe nga strukturat dhe pëlqimin më të lartë në sondazhet e kryera. Aktualisht Eriselda Sefa mban detyrën e kryetares së komanduar në këtë bashki, pas arrestimit të Fatos Tushes.
Strukturat e PD kanë propozuar si kandidat për Bashkinë e Dibrës, për zgjedhjet e 6 marsit, Luan Hakën. Me këtë propozim plotësohet edhe gjashtëshja e kandidatëve të PD për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Në Durrës, anëtarët e Partisë Demokratike i kanë propozuar kryesisë së PD që përfaqësuesi i tyre për bashkinë e Durrësit të jetë Luan Hoti. Edhe pse demokratët patën nisur negociatat që të kishin 1 kandidaturë të vetme, me primaret e komisionit të rithemelimit, PD zyrtare u detyrua që dilnin me kandidatin e tyre.
Demokratët e Rrogozhinës kërkojnë që në Bashkinë e tyre kandidati të jetë kryetari i kësaj dege Ferdinant Saraçi. Në Shkodër është propozuar Xhemal Bushati, teksa për bashkinë e Vorës është propozuar Ymer Marku.
Nga ana tjetër Komisioni i rithemelimit të Partisë Demokratike ka zgjedhur 6 kandidatë të tjerë, përmes primareve, me të cilët do të garojë në zgjedhjet e 6 marsit, me logon e koalicionit Shtëpia e Lirisë.
Në bashkinë më të madhe në veri të vendit, “Rithemelimi” do të garojë me Bardh Spahinë, i cili në primare ishte më i votuar ndaj rivalëve të tij Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Irena Shestani Shala dhe Irma Alushi. Befasi në këtë garë brenda kësaj force politike, ishte mospërfshirja e Voltana Ademit, kryetares në detyrë të bashkisë Shkodër. Bardh Spahia është ish-deputet i Partisë Demokratike, me profesion mjek.
Në bashkinë e Durrësit, Komisioni i Rithemelimit do të garojë me inxhinierin e urbanistikës, Ardian Muka.
Me një diferencë të madhesh votash nga rivalët në primaret e Lushnjes, fitoi Elton Bano, i cili do të synojë të drejtojë pas 6 marsit këtë bashki. Në profesion, ai është avokat. Ndërkohë, në Rrogozhinë fitues është shpallur Hekuran Xhani, mjek veteriner, i cili arriti të merrte 211 vota nga 316 në total.
Në Vorë do të jetë ekonomisti Lulzim Vrana, ai do të jetë kandidat i Komisionit të Rithemelimit. Pas zyrtarizimit të rezultatit të primareve, ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen në këto zgjedhje për ta pasur të sigurt fitoren.
Në Bashkinë e Dibrës, arsimtari Premtim Kryemadhi do të jetë kandidat i “Rithemelimit” më 6 mars. “Ju premtoj demokratëve që nuk do të zhgënjehen me kandidaturën time. Ne do të bëjmë një punë të shkëlqyer që nga zgjedhja e stafit, i cili sot është për të ardhur keq. Të gjithë demokratët duhet të bëhen bashkë kundër këtij regjimi”, tha Kryemadhi. (A2 Televizion)