Qendër e përbashkët policore e doganore Greqi-Shqipëri, Çuçi: Do të shkëmbehet informacion për 16 kategori krimesh

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2022, 13:12 | Politikë
Qendër e përbashkët policore e doganore Greqi-Shqipëri,

Shqipëria dhe Greqia do të ngrenë një qendër të përbashkët për bashkëpunimin policor dhe doganor. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha në Kuvend se në këtë qendër do të shërbejnë policë e doganierë grekë e shqiptarë, që do të shkëmbejnë informacione për parandalimin e krimit, kryesisht atë kufitar.

“Kjo qendër do të rrisë cilësisht bashkëpunimin me fqinjin, por edhe më gjerë sigurinë e kufirit tonë me Bashkimin Europian. Marrëveshja është plotësisht në përputhje me synimin tonë për ta bërë Shqipërinë një vend me kufij të hapur, por të sigurt. I shërben lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por duke goditur paligjshmërinë. Ajo lidhet me sigurinë ndërkufitare, luftën kundër trafiqeve, kontrabandën, e madje luftën kundër krimit të organizuar. Nëse dikur në kufijtë mes vendeve ngriheshin mure guri apo betoni, apo gardhe telash me gjemba, sot ne po ngremë struktura të përbashkëta ekspertësh, ku do të shërbejnë policë e doganierë, shqiptarë e grekë, të cilët do të shkëmbejnë informacion në kohë reale dhe do të analizojnë rreziqet, që mund të vijnë nga një individ apo rrjet kriminal, duke shërbyer si katalizatorë të luftës sonë të përbashkët kundër krimit ndërkufitar”.

Çuçi sqaroi se “qendra nuk u mbivendoset autoriteteve policore, doganore përkatëse, por vetëm i asiston ato, i bën më efikase dhe më rezultative. Në punën e agjencive ligjzbatuese, informacioni i saktë është ndër kushtet kryesore për rritjen e suksesit”.

Ai tha se janë 16 kategori të ndryshme krimesh për të cilat do të shkëmbehet informacion në bazë të kësaj marrëveshjeje.

“Ne besojmë se miratimi i aktit të sotëm do të jetë një tregues shtesë i profesionalizmit dhe besueshmërisë së strukturave tona policore në raport me organizatat partnere në rajon dhe më gjerë. Qendra është në një kuptim si një zyrë “One Stop Shop”, ku çdo gjë që ka lidhje me informacionin, procedohet shpejt dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, pasi prej aty ekspertët aksesojnë lehtësisht bazën e të dhënave kombëtare dhe kontaktojnë çdo institucion, që posedon një të dhënë të mundshme”.

Duke u kërkuar deputetëve miratimin e kësaj marrëveshjeje, Çuçi tha se kjo vjen edhe “në kuadër të vizionit të Ministrisë së Brendshme për të inkurajuar lëvizjen e lirë dhe të ligjshme të shtetasve, me kufijtë tanë sa më të hapur, por njëkohësisht dhe sa më të sigurt”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos