
8 Dhjetori, Dita e Rinisë, nuk mund të konceptohet më vetëm brenda kufijve shqiptarë. Një pjesë e rinisë së një vendi të izoluar vetëm tri dekada më parë, lëvizjen e lirë po e shfrytëzon për studime, zhvillim personal dhe kulturor, mijëra kilometra larg vendit.
Stivi Canka është një 22-vjeçar, student ekselent në Kanada për Ekonomi dhe Shkenca Politike. Në këtë datë, që e gjen larg miqve të tij në Shqipëri, ai nuk ndjen keqardhje, pasi beson fort se formimi profesional është kontribut me shumë vlerë për veten, por edhe për vendin.
Dëshira për të ndryshuar Shqipërinë, për ta bërë vendin më të jetueshëm vlon vrullshëm në mendjet e fëmijëve me ëndrra të mëdha. E ndërsa rritesh kupton që ndryshimi fillon nga vetja.
Duke ofruar shembullin e tij, Stivi thotë se të rinjtë do të kthehen më të formuar profesionalisht, për të ofruar mundësi më të mira për brezat e rinj, por edhe për të sjellë ndryshimin që të gjithë presin.
Ndërsa marrin dije dhe zgjerojnë horizontin jashtë vendit, të rinjtë e mendojnë veten më të vlefshëm dhe më të zotë për të kontribuar për vendin e tyre. Shqipëria pret që ata të kthehen. (A2 Televizion)