
28 nëntori i viti të kaluar la në qiell të hapur 3 familje në fshatin shtyllë të bashkisë së Korçës. Një zjarr aksidental shkrumboi banesën dhe gjithçka kishin 3 familjet, të cilat fatmirësisht shpëtuan pa dëme në njerëz. Por zjarri i la vetëm me rrobat e trupit.
A2 CNN u rikthye pas një viti tek i njëjti vend për të parë gjendjen në të cilën ndodheshin këto familje. Dhe këto janë pamjet një vit pas zjarrit. Asgjë nuk ka ndryshuar, me përjashtim të faktit që gërmadha nuk ka më tymin që dogji gjithçka.
15 personat e tri familjeve për një vit mes premtimesh dhe orvajtjesh sa në bashki dhe sa në prefekturën e Korçës vijojnë të qëndrojnë tek të afërmit e tyre ose në banesa me qira. Kryefamiljarët tregojnë vetë vështirësitë e një viti pa shtëpi dhe premtimet e parealizuara.
“Hiç asgjë, një vit kemi jetuar në shtëpi me qira, ia kam marrë njërit që ka shkuar në Tiranë, e paguajmë vetë. Unë jam vetë i tetë. Është e pamundur ta ndërtojmë vetë, ku kemi ne. Ne jemi të këputur”, thotë një prej familjarëve.
“Kemi takuar kryetarin e Bashkisë, na ka premtuar vend dhe nuk na dha. Këto bëhen, por ne nuk na kanë thënë gjë farë”, thotë një tjetër.
“Ndihmë nga shteti këtu nuk ka. Bashkia as nuk ka ardhur t’i shohë këta njerëz”, shprehet një tjetër familjar.
Banorët e mbetur pa banesë tregojnë edhe premtimin më të fundit të autoriteteve lokale, ndërsa dimri i dytë ka nisur.
Në verë na kanë thënë që do t’i bëjnë shtëpitë, por nuke dimë a do të bëhen”.
Në pamundësi për të investuar vetë, banorëve nuk u ka mbetur tjetër gjë veçse të vijojnë të shpresojnë dhe të dëgjojnë premtimet e radhës se kur të ngrohet koha mbase do të vijnë për t’u rikonstruktuar banesën.
“Me shpresa rron njeriu!”. (A2 Televizion)