Ka shkuar në mbi 8300 numri i viktimave në Turqi dhe Siri si pasojë e tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.8 dhe 7.5 Rihter që goditën zonën kufitare mes dy vendeve, mëngjesin e së hënës.
Të plagosurit janë me mijëra, ndërkohë që bilanci pritet të rritet edhe më tej, pasi shumë njerëz janë ende nën rrënoja.








Ekipet e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve, të cilët tashmë kanë më shumë se 48 orë nën rrënoja dhe shanset për t’i nxjerrë gjallë bëhen gjithnjë e më të pakta për shkak dhe të temperaturave të ulëta.
E gjithë bota është angazhuar për ndihmë, ndërkohë që ekipe kërkimi kanë mbërritur edhe nga Meksika.
Në solidarizim të viktimave të këtyre tërmeteve shkatërrimtare, të gjithë flamujt e vendeve të NATO-s në selinë në Bruksel janë ulur në gjysmështizë, teksa edhe Kosova e ka shpallur ditën e sotme zi kombëtare.
Në një bilanc paraprak, organizata UNICEF vlerëson se vetëm në Siri kanë nevojë për ndihmë 7 milionë fëmijë, ndërkohë që ka dhjetëra shkolla dhe spitale të shkatërruara. (A2 Televizion)