
Bardh Spahia, kryebashkiaku i Shkodrës, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” në A2 CNN, deklaroi se sot ka ardhur koha që të gjithë demokratët të bashkohen me shumicën.
Sipas tij, në Shkodër, struktura e Partisë Demokratike ka qenë gjithmonë e bashkuar.
“Sot është momenti që të bashkohemi të gjithë me shumicën e demokratëve dhe të vijojmë bashkë rrugëtimin drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Spahia.
Në lidhje me primaret, Spahia tha: “Primaret janë realizuar me sukses në 6 mars dhe do të vijojmë këtë proces për të përzgjedhur kandidatët më të mirë. Është një proces jashtëzakonisht demokratik, që ka dhënë fryte në zgjedhjet e kaluara. Primaret do të përfshijnë edhe Shkodrën, nuk ka sesi të jetë ndryshe”.
“Do të jetë një proces që do t’i krijojë hapësirë çdo demokrati dhe votuesi të Partisë Demokratike, jo vetëm anëtarësisë së saj. Do të ketë zgjerim të atyre që do të kenë të drejtë të marrin pjesë”, shtoi Spahia. (A2 Televizion)