Shkolla e Integrimit Europian, ambasadorja e BE i rikujton politikës shqetësimet e progres-raportit

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 13:19 | Politikë
Shkolla e Integrimit Europian, ambasadorja e BE i rikujton politikës

Caktimi i Tiranës si vend organizator i samitit të radhës BE-Ballkani Perëndimor, është sinjal i përshpejtimit të procesit të anëtarësimit. Kështu e lexoi mazhoranca socialiste njoftimin e presidentit të Këshillit Europian, Charle Michel, se mbledhja e radhës do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë.

Sipas Taulant Ballës, “është një mundësi e artë për të kuptuar pikë së pari që edhe më skeptikët ndër nesh të kuptojnë që BE-ja është serioze në angazhimin e vet për një përshpejtim të procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në familjen Europiane”.

Deklarata e Ballës u bë gjatë nisjes së Shkollës për Integrimin Europian të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ku pjesë e tryezës ishte edhe shefja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Christine Hohman, e cila i rikujtoi shqetësimet e ngritura nga progres-raporti.

“Ne presim që të ketë një udhëheqje të fortë politike sa i përket kësaj agjende politike. Ka edhe disa fusha ku ka pasur fare pak ecuri ose aspak dhe më lejoni që të përmend një fushë që është shprehur qartë që është liria e fjalës”, u shpreh ambasadorja Hohman.   

Fjalët e ambasadores duket se i shkuan përshtat edhe qasjes së opozitës.

Sipas Jorida Tabakut, “progres-raporti jepte një pamje të qartë të situatës, gjithmonë duam që të gjërat të jenë ndryshe, por në fakt progres-raporti ishte një dokument i mirë që qeveria ta kthejë në një plan pune. Ajo që është e rëndësishme, është siç thoshte progres-raporti, është të tregojmë vullnetin politik që fatkeqësisht se kemi treguar akoma”.

Qëndrimet sa i takon integrimit ia lanë radhën leksionit për studentët e Shkollës së Integrimit Europian, aktivitet i cili do të zgjasë për shtatë ditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos