
Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se me largimin e Lulzim Bashës, në PD kanë nisur që gjërat të ndryshojnë. Ndërkohë që bëri me dije se në çdo degë, Rithemelimi ka mbi 90% mbështetje.
“Nuk ka çarje. Në Durrës ka nisur procesi i riorganizimit dhe po përfshihet e gjithë struktura e PD-së, të gjithë hyjnë të barabartë. Ne e kemi diskutuar çështjen e shtyrjes së Kuvendit, por një vendim i tillë nuk shtyhet. Gjithsesi, ne e shtymë sepse e kishim në 22 mars. Situata politike është dinamike dhe “kurrë mos thuaj kurrë”. Nëse ka arsye madhore, mund të ndodhë”, u shpreh Vokshi.
Kur u pyet nëse janë rivendosur urat e komunikimit mes palëve, Vokshi u përgjigj: “Askund në botë, minoranca nuk i vë dot kushte mazhorancës, por në deklaratën e djeshme të Enkelejd Alibeajt vihej re një hap pas. Pavarësisht se pika e tretë, ku ne duhet të ndërpresim procesin e riorganizimit të strukturës ishte taksative. Unë mendoj se duhet normalizuar sa më shpejt puna e grupit parlamentar, që është i votëbesuar nga qytetarët”.
“Kanë ndryshuar gjërat pasi është larguar Lulzim Basha, u hoqën dyert e blinduara… Ne sot kemi bërë ftesa dhe kemi hapur derën për çdo deputet. Objektivi i parë është normalizimi i jetës parlamentare. Nuk është e lehtë të jesh pjesë e grupit parlamentar, kur përjashtohesh nga Basha. Nuk organizohet lehtë jeta parlamentare, pasi edhe kryetarja e Kuvendit na ka nxjerrë jashtë grupeve parlamentare”, shtoi Vokshi.
Sipas Vokshit, Rithemelimi do të marrë gjithçka me votë, nuk ka negociata, pasi të gjithë duhet të bashkohemi dhe të respektojmë votën. (A2 Televizion)