Debat me mocion për çmimet. Opozita akuza qeverisë për korrupsion, PS justifikohet me “periudhë dëshpëruese”

Nga A2 CNN
24 Mars 2022, 16:40 | Politikë
Debat me mocion për çmimet. Opozita akuza qeverisë për

Për 6 orë, Parlamenti u përfshi në debate për rritjen e çmimeve. Ndonëse e ndarë, opozita ishte në sinkron sa i takon akuzave ndaj qeverisë Rama për keqmenaxhimin e krizës, ndërsa shumica nënvizoi se qytetarët duhet ta mirëkuptojnë situatën, duke folur për periudhë dëshpëruese.  

Mazhoranca socialiste i plotësoi kërkesën të dy grupimeve brenda PD-së duke pranuar zhvillimin e një mocioni me debat, por edhe të një interpelance ku të dyja kishin të njëjtin objekt, rritjen e çmimeve.    

Debatin parlamentar e nisi Jorida Tabaku, e cila akuzoi ekzekutivin duke i treguar portat e SPAK-ut. Këto deklarata nuk e trembën shumicën, e cila i pa fjalët e Tabakut si konsum të politikës së ditës.

“Sot kemi në SPAK një padi të dorëzuar nga grupi i PD-së për këtë çështje, pikërisht për faktin se qeveria ka lozur dhe loz çdo ditë me të ardhurat e shqiptarëve”, tha Tabaku.  

Belinda Balluku u përgjigj: “Ju në SPAK mund të çoni çdo dosje, pasi nga ajo që kam vënë re, e vetmja gjë që keni bërë pas ndarjes momentale mes jush, ka qenë të prodhoni dosje për SPAK, sigurisht për të tërhequr vëmendjen publike nga sherret familjare”.    

Tonet në sallë u ngritën kur në foltore doli Sali Berisha. Ish-kryeministri foli me shifra për keqmenaxhim të energjisë elektrike, ndërsa socialistët kërkuan sakrificë nga qytetarët.

“Janë eksportuar teravat të tërë. Kush e di çmimin? Sa e ka shit? 40 euro! Sa ishte në bursë? 130 euro! Kjo pranverë do të jetë pranverë e ndryshimeve të mëdha”, theksoi Berisha.  

Ndërsa Gjiknuri ia ktheu: “Periudha dëshpëruese kërkojnë masa të rrepta dhe qytetarët shqiptarë na mirëkuptojnë në këtë drejtim. Ato pranvera që ti do që të kthehen në një pranverë kobzezë, vetëm ti në mendjen tënde vazhdon ta imagjinosh”. 

Në këtë përplasje opozitë-mazhorancë, kundër rrymës doli Erion Braçe. Ish-numri dy i qeverisë socialiste, si fajtorë të shtrenjtimit të jetesës në vend, nuk sheh bombat ruse në Ukrainë: “Kriza jonë ka edhe diçka më sipër, ka edhe një kat e gjysmë më lart. Është edhe krizë që vjen nga abuzimi këtu brenda. Është edhe krizë që vjen nga tregje kombëtare të kapura, të mbyllura. Njerëzit kanë të drejtë të dinë se si shkojnë te ky çmimi i ri i naftës, i benzinës dhe i gazit”.  

Mocioni i kërkuar nga PD u shoqërua me një projektrezolutë, e cila u refuzua nga socialistët. Alibeaj u shpreh: “Për të parë se ku gjen alibitë më përfekte për t’ia shitur barkut bosh të shqiptarëve. Të mendohet me shpirt dhe me zemër për familjet shqiptare”.

Balla u përgjigj: “Mund të jetë rasti unik në botë që paketa që propozon opozita, ndërkohë është ndërmarrë nga qeveria”.  

Pas mocionit, ishte radha e interpelancës, ku opozita akuzoi sërish shumicën për keqmenaxhim të krizës së çmimeve, duke u përballur me të njëjtin qëndrim të qeverisë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos