A ka ndryshuar qasja e “Rrugës së Elbasanit” ndaj politikës shqiptare? “Jo, por ka ndryshuar qasja e mazhorancës ndaj Reformës në Drejtësi”

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2022, 21:32 | Politikë
A ka ndryshuar qasja e “Rrugës së Elbasanit” ndaj

Yuri Kim i dha sot publikisht përgjigje qeverisë, për njoftimin që Ministria e Jashtme bëri javën e shkuar për mbarimin e mandatit të ambasadores amerikane në Tiranë dhe nisjen e procedurave zyrtare për zëvendësimin e saj. “Unë kam 3 vite në Shqipëri dhe do të jem këtu për ca më gjatë”, tha Yuri Kim sot në konferencën për konsolidimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë, duke njoftuar zgjatjen e mandatit në Shqipëri.

Të shtunën ndërkaq Ambasadorja botoi një editorial ku ritheksoi se Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë përpjekjet për t’iu kërkuar llogari aktorëve të korruptuar në Shqipëri, si edhe do të vazhdojnë me shpalljet ‘Non Grata’. Çfarë ka ndodhur në raportet e Edi Ramës me Yuri Kim?

Sipas producentit të A2CNN Indrit Maraku, “thuhet se hakmarrja serviret e ftohtë, dhe ambasadorja Kim nuk priti shumë gjatë për t’iu përgjigjur qeverisë shqiptare. Gjatë gjithë muajve të kaluara ka patur mjaft përplasje dhe kunja, ndonëse në pikëpamje formale ka respekt”.

Por si përkthehet zgjatja e mandatit të ambasadores. “Në dijeninë time praktika ka qenë e përcaktuar, ndërsa interpretimi tonë vjen nga mënyra sesi e perceptojmë këtu prezencën e ambasadës amerikane. Qeveria ka një problem madhor, sepse ka mbaruar mbështetja pa kushte dhe duhet të japë llogari për një seri problematikash. Kur ambasada kërkon lufte korrupsionit, normale që ambasada ia kërkon qeverise dhe jo opozitës”, thotë analisti Afrim Krasniqi në “Debat”.  

Por a ka ndryshuar qasja e Rrugës së Elbasanit ndaj politikës shqiptare? “Nuk besoj që nga ndryshuar retorika amerikane, madje vitin e kaluar ka patur edhe deklarata edhe më të ashpra, ndoshta edhe jashtë natyrës diplomatike. Ajo që ka ndryshuar është qasja e mazhorancës ndaj reformës në drejtësi, nga përkrahje pa kushte, ne kemi patur fjalime kundër SPAK, kundër zyrtarë të caktuar, kur u kuptua që do t’i kthehej kundër ministrave dhe njerëz të afërt të kryeministrit, atëherë ka ndryshuar qëndrimi”, nënvizon Krasniqi, që shton se nga ana tjetër, ajo e opozitës, “pas vendimit të non grata ndaj Berishës, opozita ka marrë një qasje radikale ndaj ambasadës, duke i cilësua me një qëndrim emocional të gjitha deklaratat e saj si proqeveritarë, dhe nuk ka qenë ashtu”.

Ndërkohë analisti Ilir Kalemaj e cilëson si të paprecedentë qasjen e qeverisë ndaj përfaqësueses së Uashingtonit në vend. “Ka ndodhur diçka e paprecedentë ku shteti pritës ka dalë me një deklaratë nga Ministria e Jashtme duke deklaruar mbarimin e mandatit të ambasadores, ku nuk ka asnjë të drejtë, aq më shumë në fillim të procedurës. Edhe emri i përfolur më parë për zëvendësimin u dogj sepse Senati ka rregullat e saj. Janë shkelje flagrante me prapavijë politike, dhe fakti që kishte interes është thjesht një spekulim”, thotë ai, ndërkohë që Maraku shton se kanali i përdorur ishte ai i ministrisë se Jashtme, ndërkohë që porosia vinte nga më lart. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos