
Deputetët që mbështesin grupin Berisha ngritën zërin njëherazi në parlament për sulmin fizik që iu bë kreut demokrat në 6 dhjetor.
Flamur Noka: Data 6 ka vetëm një autor, Edi Rama.
Luçiano Boçi: Nuk është goditur Sali Berisha. Është goditur opozita, janë goditur qytetarët dhe ka vetëm një të akuzuar.
Ina Zhupa: Mbrapa kësaj jeni ju, jo vetëm frymëzues të dhunës, por edhe të hartimit të një plani të mirëfilltë sesi të provokonit opozitën atë ditë.
Akuzat se Edi Rama ishte autori i vërtetë i sulmit, Berisha i shprehu edhe nga foltorja e Kuvendit. “Të gjithë kriminelët e Shqipërisë po t’i mbledhësh, të gjithë trafikantët, nuk do të mundje të mposhtje opozitën. E fala Gerti Shehun sepse është një mjeran se merr para”, tha Berisha.
Në mungesë të kryeministrit Rama, Berisha e mori përgjigjen nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. “Bëri sërish të njëjtën gjë, gënjeu edhe për rrahjen e tij dhe e bëri më të njëjtën ton me atë të 21 janarit”, tha Spiropali.
Çështja e rendit të ditës që lidhej me miratimin e një akti normativ për marrëveshjen me kompaninë të vaksinës Fizer, çoi në debat e akuza ndaj njëra-tjetrës ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe deputetes demokrate, Albana Vokshi.
Ndonëse opozita akuzoi qeverinë për paaftësi dhe korrupsion me vaksinat anticovid, Kuvendi e miratoi aktin normative me 90 vota pro dhe 3 abstenim. Orjela Nebiaj dhe Petrit Doda janë dy deputetë që iu bashkuan grupit parlamentar demokrat pas heqjes dore nga mandati i deputetit Alfred Rushaj dhe Grida Dumës. (A2 Televizion)