A po profilizohet Veliaj si pasardhës i Ramës në krye të PS?

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 13:52 | Politikë
A po profilizohet Veliaj si pasardhës i Ramës në krye të PS?

Një diskutim absurd studiosh televizive i ka konsideruar deputeti socialist Fatmir Xhafaj, deklaratat se fushata e Erion Veliajt për një mandat të tretë në krye të bashkisë, por e profilizon atë si pasardhës të Ramës në krye të PS-së. Në studion e Ditarit në A2 CNN, Xhafaj tha se Veliaj i ka të konsoliduara votat e tij dhe kërkon vota për Këshillin Bashkiak për të realizuar projektet e tij.

“Nuk është fare e vërtetë, nuk di një rast që Veliaj të ketë kërkuar votë për Erionin, por votë për këshillin, jo vetëm se vota për të është më e konsoliduar, por sepse është i bindur që roli i këshillit është përcaktuar në vendimmarrje dhe realizim projektesh. Dhe të gjithë ne theksin e kemi vënë te vota për Këshillin Bashkiak. Ne duam votë popullore mbështetëse për të si kryetar. Kjo votë është një lloj vlerësimi për atë që ka ndodhur në këto 8 vjet për të guxuar dhe punuar më shumë”.

Sipas Xhafajt, Rama është ende kryetar partie dhe nuk ka dhënë ndonjë deklaratë tërheqjeje.

“Rama është ende kryetar partie dhe Rama nuk ka thënë që po largohem. Është një diskutim absurd që bëhet i nxitur nga media dhe një pjesë e opinionistëve mediatikë për ta bërë më të këndshëm debatin e mbrëmjeve në studiot televizive dhe një lloj diversioni brenda PS. Veliaj dhe gjenerata e tij kanë ambiciet e tyre. Por sot po flasim për ambicien e kryetarit bashkiak në një mandat të tretë. Kur të vijë koha do të vijë momenti të diskutohet brenda PS se kush dhe çfarë bën”.

https://youtu.be/UNQh-Wod2KM

I pyetur edhe për 1 milion pemëve të mbjella në kryeqytet, Xhafaj tha se ajo që ka rëndësi është vizioni i Veliajt për një jetë më të mirë në Tiranë.

“Nuk merrem me numërimin e pemëve, nuk është detyra ime. Gjatë këtyre 8 vjetëve më është dashur të marr pjesë në ngjarje me mbjellje pemësh, por di që ka qenë në fokus të tij. Mund të jenë 1milion e 100 apo 100 më pak nuk më intereson. Ajo që më intereson se trendi në vizonin e tij është shumë pozitive ka të bëjë me nevojën për të pasur një jetë më të mirë në Tiranë. Pemë janë mbjellë si asnjëherë tjetër në Tiranë”.

Ai hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës për asfalt elektoral dhe tha se puna në terren do të vazhdojë.

“Edhe në vende të zhvilluar gjej rrugë problematike. Procesi i asfaltimit nuk ka lidhje me fushatën, një pjesë do të vazhdojë edhe pas fushatës. Te Myslym Shyri sapo ka filluar. Nuk ka përputhej mes asaj që bën Erioni dhe asaj që ndodh në terren. Jemi në maj, buxheti hapet në janar-shkurt, tenderat në mars-prill, ka filluar puna. Nëse nuk e harxhojnë buxhetin në këtë periudhë kur do ta harxhojnë. Kjo është rrjedhojë normale”.

Xhafaj e konsideroi absurd premtimin e Belind Këlliçit për autobus falas, ndërsa për fushatën e socialistëve thotë se po gërshetohet llogaridhënia me programin.

“Është absurde të pretendosh shërbim autobusi falas. Edhe sikur të ndodhë, në raport me mundësitë ekonomike që ka shteti ynë është një gjë jo fort e pranueshme. Sa i takon PS ajo po e bën sikur të jetë kundërshtarin përballë nga pikëpamja e llogaridhënies. Kemi proces llogaridhënës të gërshetuar me shpalosjen e programit dhe projekteve”.

Deputeti socialist u shpreh se nuk ka asnjë rrezik për suksesin e socialistëve dhe këtë e sheh te bilanci pozitiv dhe përfaqësimi

“Erion Veliaj nuk ka pse të luajë çdo kartë se ka një kartë që është raporti që ka me qytetarët e Tiranës, që është krijuar nga puna dhe rezultati që ka pasur në këto 8 vite në krye të Tiranës. Ai ka një bilanc pozitiv me Tiranën e zgjedhësit dhe fushata jonë bëhet më e lehtë, por edhe më e vështirë se duhet të krahasohesh me vetveten dhe jo kundërshtarin dhe pritshmëritë që kanë qytetarët. Nuk është një fushatë në presionin e rrezikut të suksesit. Edhe nga mënyra si po zhvillohet shoh një lloj qetësie dhe sigurie që rrjedh në atë që përfaqësojnë sot kandidatët që kemi përballë kandidatëve të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos