
2021-i është konsideruar viti i rimëkëmbjes së ekonomisë, pas krizës së pandemisë që goditi botën. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë për një rigjallërim të prodhimit vendas, eksporteve dhe importeve, por edhe për rritje të të ardhurave në buxhet.
A tregon kjo se kemi lënë pas krizën? Se ka filluar hapja e vendeve të punës dhe që paraja të qarkullojë në ekonomi? Për këtë çështje u diskutua mbrëmjen e së mërkurës në A2 Business.
Zana Guxholli, eksperte për ekonominë, rektore e universitetit “Marin Barleti”, theksoi se treguesit janë pozitivë, por bëri apel për kujdes.
“Treguesit e 6 mujorit të parë janë pozitivë. Si tregues janë premtues dhe tregojnë se ekonomia shqiptare po rimëkëmbet, këtu shtojmë edhe faktin që tkurrja nuk ishte aq e madhe sa u parashikua nga treguesit gjatë kohës së pandemisë. Gjithsesi, duke pasur parasysh strukturën ekonomike të Shqipërisë, sa e brishtë ka qenë rritja ekonomike në Shqipëri, duhet të bëhet kujdes. Për këtë ka një sërë masash dhe politikash qeveritare dhe sjellje të biznesit. Duke i referuar edhe parashikimeve ndërkombëtare, janë optimiste, por jo kaq shumë sa optimizmi në Shqipëri.
Ndërkohë, Fatos Cocoli, ekspert për ekonominë, tregon edhe arsyet pse mund të ketë ardhur kjo rritje. “Treguesit janë pozitivë. Në ekonomi është një rregull i pashkruar që thotë, në rast se në 2 tremujorë rresht, atëherë ekonomia është në trendin pozitiv. Këtë e kemi parë në 2 tremujorët e fundit. Kjo ka ardhur kryesisht për faktin se pësuam një rënie të madhe, goditja ishte e jashtme dhe pas kësaj do të kishte një rritje. E dyta ka të bëjë me faktin se ecuria ekonomike e vendeve partnere është pozitive dhe kjo ndikon shumë”, u shpreh Cocoli. (A2 Televizion)