A2 siguron draft-opinionin e Venecias: Ndryshimet në Kushtetutë u bënë ekstremisht me nxitim

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2020, 17:32 | Politikë
A2 siguron draft-opinionin e Venecias: Ndryshimet në Kushtetutë u

Komisioni i Venecias nuk ka dhënë një mendim mbi kushtetutshmërinë e ndryshimeve kushtetuese të 5 tetorit, kryer nga mazhoranca në bashkëpunim me deputetët e opozitës parlamentare. Sipas tij, kjo i takon Gjykatës Kushtetuese për t’u bërë. Por, ka thënë se këto ndryshime kushtetuese "u bënë ekstremisht me nxitim".

Në draft-opinionin e komisionit, të cilin e A2 e ka lexuar, thuhet se skema e re e koalicioneve, miratuar pas marrëveshjes së Këshillit Politik të 5 qershorit, ka pak mundësi të ndryshojë ndarjen e mandateve në Kuvend.

Ndryshimet Kushtetuese dhe Kodi Zgjedhor ndryshuan në një kohë ekstremisht të shpejtë, sipas draftit të Komisionit të Venecias.

“Procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë ishte ekstremisht e nxituar. Procedura formale në Parlament ishte jashtëzakonisht e shkurtër (rreth një javë), dhe i gjithë procesi nga prezantimi i iniciativës deri te miratimi i saj, zgjati një muaj”, lexohet në draft.

Por, kjo fjali nuk i jep shpresë opozitës për ndryshimet që kërkon për zgjedhjet e 25 prillit. Ajo shpresonte që me fjalën e Venecias të rikthente modelin e koalicioneve, ku secila parti garon me listën e saj të kandidatëve. Por, ndërsa pritet raporti final i atij që zyrtarisht quhet Komisioni për Demokraci përmes ligjit, drafti i mbërritur paraprakisht për palët në Tiranë thekson se para zgjedhjeve duhet shmangur çdo ndryshim në ligjin zgjedhor, ndërsa opozita ishte duke i mbyllur çdo mundësi. Por, disa rekomandime lihen për zbatim para zgjedhjeve parlamentare:

  1. Të gjitha autoritetet duhet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çdo përpjekje për të zbatuar ligjin elektoral në kohë. 
  2.  Të shmanget çdo ndryshim tjetër i legjislacionit elektoral para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
  3. Kryetarët e partive politike duhet të përmbahen për të mos kandiduar në disa zona.
  4. Të sqarohet impakti i ndryshimeve në lidhje më koalicionet në raport me nenin 96 të Kushtetutës për caktimin e Kryeministrit.

Ndryshe nga pretendimet e opozitës se mazhoranca cenoi kodin e praktikës së mirë, duke ndryshuar njëanshëm elemente thelbësore të sistemit një vit para zgjedhjeve, Venecia nuk e sheh ndryshimin e skemës së koalicionit si të tillë. Gjithsesi, duke qenë se koalicionet janë strategji për maksimalizim votash, Venecia jep këtë mendim: “Një ndryshim që mund të duket si shqetësim thelbësor ka të bëjë me heqjen e koalicioneve, në krahasim me versionin e vjetër të kodit zgjedhor. Kjo ka pak gjasa që të çojë në ndryshimin e ndarjes së një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë zgjedhore, këto ndryshime mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së mandateve në Parlament”.

Por, ekspertët e huaj nuk harrojnë të kujtojnë se në 2017-n u garua pa koalicione me marrëveshje politike: “Është për t’u pasur në vëmendje se, në 2017, rregulli për koalicionet nuk u aplikua pas marrëveshjes konsensuale politike, kështu që në praktikë asnjë ndryshim real nuk do të ndodhë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare”.

Ekspertët e Venecias shprehin keqardhje për djegien e mandateve nga opozita, duke hequr dorë nga pasja e çdo ndikimi politik mbi ndryshimet.

Përgjigje merr dhe Presidenti Ilir Meta, i cili ka ngritur herë pas here pretendimin e Parlamentit jolegjitim, për shkak se në të ndodhen 122 dhe jo 140 deputetë. Sipas Venecias, Parlamenti është me kuorum të mjaftueshëm për funksionimin e tij. Tani, palët janë në fazën e prapësimeve nga gjetjet paraprake të Komisionit të Venecias e do të presin për të parë se cili do të jetë opinioni zyrtar i tyre mbi çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor të 5 tetorit.

Ky draft-opinion u është dërguar Presidentit dhe shumicës socialiste për të parashtruar pretendimet e tyre dhe opinioni final mendohet të paraqitet në janar 2021. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos