
Gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi, ka folur në një lidhje live në “Dita jonë” nga komuna e Zveçanit, ku ka bërë një rezyme të situatës në veri të Kosovës, ku prej disa ditësh tashmë, janë shënuar tensione mes serbëve dhe forcave të policisë.
Gazetari Kasapi ishte vendosur sot në hyrje të rrugës që të çon në komunën e Zveçanit, ku deklaroi se është e pamundur të qëndrosh më në brendësi, pasi disa persona e kanë ndaluar atë dhe ekipin e A2 CNN që të filmojnë, me pretekstin se janë televizion shqiptar, madje kanë arritur deri aty saqë i kanë detyruar të fshijnë edhe pamjet e filmuara.
Sipas gazetarit, dy kushtet kryesore që kanë dhënë protestuesit, në mënyrë që ata të largohen nga aty, janë: largimi i policisë së Kosovës nga veriu dhe dhënia e dorëheqjes së kryetarit të sapozgjedhur të Komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.
“Unë ndodhem aktualisht në hyrje të rrugës së Zveçanit. Më parë kemi arritur të futem më në brendësi, por disa persona nuk na lejuan dhe na detyruan të fshinim të gjitha pamjet që kishim regjistruar. Deri më tani, situata është e qetë.
Pretendimet e tyre janë e ata mund të largohen vetëm nëse kryetari i komunës së Zvecanit do të japë dorëheqjen, por edhe largimi i forcave të policisë së Kosovës nga territori i veriut.
Të njëjtat kushte janë edhe për Zubin Potokun dhe Leposaviçin. Ka një prani të shtuar të protestuesve, të cilët jo vetëm që nuk na lejuan të futemi në brendësi të zonës, duke na thënë që jemi televizion shqiptar”, u shpreh ndër të tjera gazetari Kasapi. (A2 Televizion)