
Kryeministri ende në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka propozuar që raundi i radhës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mbahet në vendin e tij, ku të pranishëm të jenë pa dyshim dhe zyrtarët e lartë europianë dhe amerikanë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, pas takimit me kryeministrin Kurti në Forumin e Prespës, Abazoviç u shpreh se promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi.
Një ditë më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, javën e ardhshme, në një takim urgjent për menaxhimin e krizave. (A2 Televizion)