Nuk luftoi korrupsionin, Bullgaria shkarkon kryeprokurorin

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 10:25 | Ballkani
Nuk luftoi korrupsionin, Bullgaria shkarkon kryeprokurorin

Ndonëse në mes të mandatit të tij, prokurori i Përgjithshëm i Bullgarisë, Ivan Geshev, është shkarkuar nga detyra me një vendim të presidentit, Rumen Radev.

I emëruar në vitin 2019, me një mandat 7-vjeçar, kryeprokurori Geshev u vendos në syrin e ciklonit të politikës dhe ndërkombëtarëve, në lidhje me punën e tij me mangësi të mëdha në luftën kundër korrupsionit.

Radev nënshkroi një dekret për shkarkimin e Geshevit tri ditë pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor i Bullgarisë votoi për ta rrëzuar atë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania në muajin shkurt të këtij viti sanksionuan disa shtetas bullgarë për korrupsion në atë që disa ekspertë e interpretuan si zhgënjim për dështimin e Geshevit për të goditur njerëzit e fuqishëm të përfshirë në korrupsion.

Geshevi fillimisht gëzonte mbështetjen e Këshillit Gjyqësor, por ajo u zbeh në maj pas deklaratës së tij, ku i cilësoi ligjvënësit si "plehra politike". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos