"Absolut 4": Çfarë u mat e çfarë u gjet në Ballkan?

Nga A2 CNN
24 Qershor 2021, 22:36 | Aktualitet
"Absolut 4": Çfarë u mat e çfarë u gjet

Barometri Ballkanik, Edlira Gjoni: Ka disa gjera që mund të kërcasin, nuk kanë sens

E ftuar në Absolut 4, ku u diskutua mbi rezultatet e Barometrit Ballkanik, të publikuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, u shpreh se disa gjëra nuk kanë sens.

Këto, Gjoni u shpreh se ka pakënaqësi pse po ikin njerëzit, por ka ulje drastike në dëshirën e ballkanasve për të lënë vendin. Këto gjëra kundërshtojnë njëra-tjetrën, tha gjoni.

“Ka disa gjera që mund të kërcasin. Disa gjetje nuk kanë sens me situatën që ka Ballkani. Shqetësimi më i madh i Ballkanit vijon të jetë papunësia dhe situate ekonomike, por kjo na paska një ulje drastike me 15 pikë, krahasuar me vitin e kaluar. Nuk është se shkëlqeu ekonomia. Kjo nuk është e vërtetë, nga ana ekonomike nuk ka ndryshuar asgjë. Në pamje të parë duket se janë dy shqetësimet kryesore për 18 milionë banorët e Ballkanit.

Tjetër, për mua ka një rritje, mendoj artificiale, të korrupsionit. Për mua duhet të shkohet te burimi sesi është bërë ky barometër. Sepse me të njëjtën numër pikësh që është rritur shqetësimi për papunësinë na është rritur shqetësimi për korrupsionin. Me aq sa e njohim ne veten tonë, vërtetë e kemi shqetësim korrupsionin, por jo deri në atë masa sa të mos na zërë gjumi natën.

Sa i përket emigracionit, biznesi mund të shqetësohet, qeveria gjithashtu, politika e ditës, për largimin e qytetarëve. Ka pakënaqësi pse po ikin njerëzit, por ka ulje drastike në dëshirën e ballkanasve për të lënë Ballkanin. Këto gjëra kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ka shumë përplasje, shumë kërcitje, në gjetjet e bëra”, tha Gjoni.

Gjetjet e Barometrit, Vurmo: Shkalla e refuzimit të sondazhit 55%, nuk është përfaqësues

Gjergji Vurmo nga IDM ka qenë kritik ndaj gjetjeve të Barometrit Ballkanik, të publikuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Sipas Vurmos, shkalla e refuzimit në këtë sondazh ka qenë shumë e lartë dhe kjo nënkupton se ai nuk është përfaqësues. Gjithashtu ai shton se gjetjet e Barometrit nga viti në vit nuk kanë ndryshuar duke nënkuptuar se me këtë sondazh ka një problem.

“Nuk jam i sigurt për të dhënat pasi ka shumë pikëpyetje. Ka shumë të dhëna që nuk mund t’i shpjegosh. Në një vend pandemik nuk është përmendur pandemia si shqetësim kryesor. Edhe çështje të tjera si krimi. Nacionalizmi nuk është shqetësim? Unë një sondazh e shikoj nga metodologjia. Në këtë rast është njësoj si të tjerat. Në momentin kur një sondazh nuk të thotë një gjë të re për disa vite atëherë ka një problem me sondazhin. Qasja që aplikon RCC është interesante. Do të ishte interesante të bëje pyetje se çfarë mendon publiku dhe çfarë mendon biznesi. Kompania që e ka bërë këtë sondazh gjithashtu shkruan se shkalla e refuzimit është e lartë rreth 55%.

Kohëzgjatja e intervistës është po ashtu e gjatë. Një sondazh në një vit pandemik ka qenë e pamundur të futeshe në shtëpinë e tjetrit. Sinqerisht nuk e di si e kanë bërë këtë sondazh. Një pyetësor që zgjat mbi 20 minuta bëhet shumë i lodhshëm. Sipas llogarive i bie që për çdo vend janë intervistuar 450-500 persona dhe kjo do të thotë që ai nuk është aspak përfaqësues. E pa shpjegueshme që në një vit pandemik askush të mos thotë që pandemia është një ndër frikërat e mia më të mëdha”, tha Vurmo.

“Në 2025, Shqipëria anëtare e BE”, Dervishi: Kjo ishte gjetja më e çuditshme e barometrit ballkanik

Lutfi Dervishi u shpreh në “Absolut 4” se gjetja më e çuditshme e barometrit ballkanik ishtë se shqiptarët besojnë se në 2025 do të jenë anëtarë të BE.

Po ashtu, Dervishi shtoi se lajmi më i mirë dhe që do ja vlejë të diskutohet është një gjë që nuk ka shumë lidhje me gjetjet e barometrit por ka të bëjë me nismën e Këshillit të Bashkimit Rajonal që finalizohet me 1 korrik, dhe në bazë të cilës në 6 vende qytetarët do ta kenë roaming 0.

“Barometrët iu ngjajnë matësve të temperaturave në ditë të nxehta si e sotmja. Praktikisht nuk na thonë gjëra të reja. Janë gjëra të ditura.

Ky është viti i shtatë i barometrit të Ballkanit dhe mat përceptimin e publikut dhe bizneseve. Në trajektoren e 7 viteve, problemet janë po ato. Papunësia, largimi i njerëzve, emigrimi, besimi i ulët të institucionet, një rritje e lehtë e idesë së bashkëpunimit rajonal dhe idesë së integrimit, për shkak të entuziazmit goxha të tepruar të shqiptarëve që besojnë se në 2025 do të jenë anëtarë të BE. Kjo ishte gjetja më e çuditshme, edhe optimizëm është një fjalë që nuk e përmbledh dot këtë shifër.

Në këtë sens, këto sondazhe kanë një të mirë sepse i shërbejnë vendimamrrësve, medias për të matur temperaturën e publikut. Por nuk është se po thua një gjë të re por ndryshimet nga një vend te tjetri dhe diferencat që kemi, nëse shikojmë përshembull sa është entuziami për BE në Kosovë dhe Shqipëri, është mbi 90%, ndërsa në Bosnje dhe Serbi shifrat janë poshtë 50%.

Gjëja interesante është që mekanizmi që mbikqyr këtë barometër, sepse në termin politik nuk iu referohen si vende për shkak të mosmarrëveshjeve të njohura, termi që përdoret janë ekonomitë Lajmi më i mirë dhe që do ja vlejë të diskutohet është një gjë që nuk ka shumë lidhje me gjetjet e barometrit por ka të bëjë me nismën e Këshillit të Bashkimit Rajonal që finalizohet me 1 korrik. Në 6 vende qytetarët do ta kenë roaming 0. Qasje praktike. Nuk e zgjidhim dot një problem si dialogu Beograd-Prishtinë, por fillohet një qasje si përfitojnë më shumë njerëzit.

Duhet kuptuar se jemi duke folur për 6 vende, 6 ekonomi, në total 18 milionë banorë. Në kuptimin e infrstrukturës jemi shumë mbrapa. Dhe infrastruktura digjitale, por edhe ndërthurja e ekonomive të rajonit. Ta zëmë energjia që është një çështje e madhe. Për ta mbyllur, ka gjëra të vjetra të ditura. Është fakt që kjo është bërë në kushtet e pandemisë dhe me pandeminë lidhet treguesi që duket se ka një rënie të lehtë të dëshirës për tu larguar. Kjo besoj se është më tepër për shkak të pandemisë sesa të lulëzimit të ekonomive të vendeve të rajonir. Thënë këtë, publikimi i këtij barometri bëhet edhe në kuadër të një lajmi të ngrirë, siç është çështja bllokimi I hapjes së negociatave.”, shprehet Lutfi Dervishi.

Mosmarrja e datës për konferencën ndërqeveritare, Vurmo: Prej 15 vitesh zgjerimi nuk konsiderohet çështje strategjike

Në emisionin Absolut 4 në A2 u diskutua dhe mosarritja e dakordësia e ministrave të Jashtëm të Unionit Europian për caktimin e një datë për mbajtjen e konferencës së ndërqeveritare me Shqipërinë dhe propozimin e fundit të mazhorancës në Kuvend që BE të ndryshojë mekanizimin e vendimmarrjes për çështjen e zgjerimit që ai të mos jetë më me unanimitet.

Për Gjergji Vurmon, politikat e zgjerimit kanë 15 vite që nuk konsiderohen nga BE si çështje strategjike, por megjithatë ai shtoi se ka pak gjasa se mekanizimi i vendimmarrjes me unanimitet ka shumë pak gjasa që të ndryshojë.

“Ajo që propozon mazhoranca është ndryshimi i mekanizmit të marrjes së vendimeve. Pra jo më me unanimitet të merren vendimet për hapat e radhës në kuadër të politikës së zgjerimit. Është një tezë e diskutuar, por ka pak gjasa që të ndodhi. Unanimiteti në rast se përdoret brenda parametrave normal është një aset sepse tregon një qasje strategjike.

Politika e zgjerimit ka të paktën 15 vjet që nuk konsiderohet çështje strategjikë. Hera e fundit që ka ndodhur ka qenë në 2004 dhe 2007. Edhe atëherë ka pasur pikëpyetje. Kroacia kishte fatin e mirë që përfitoi në kuadër të lodhjes nga zgjerimi. Unanimiteti kthehet në një antivlerë kur keqpërdoret. Edhe në një rast të tillë që në fakt është rasti i 5-6 viteve të fundit mendoj se për politikat e zgjerimit BE nuk do të heqë dorë nga marrja e vendimeve me unanimitet”, u shpreh Vurmo në Absolut 4.

Arben Shkodra: Pandemia nxori skeletin e ekonomisë shqiptare

Arben Shkodra, nga shoqata e prodhuesve, ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në Absolut 4, nga ku komentoi problemet me të cilat përballet ekonomia shqiptare.

Sipas tij, pandemia nxori skeletin e ekonomisë shqiptare, i cili ishte shumë i dobët.

“Barometri është më tepër përforcim i diskutimeve që janë bërë gjatë vitit pandemik por dhe fillim vitit, që mund ta quajmë gati post-pandemi. Problemet mbeten të vjetra, në fakt të agravuara më pas për shkak të pandemisë, për shkak dhe të tërmetit. Kapi një trekëndësh shumë të rëndësishëm që është Tiranë, Durrës, Lezhë, nuk është trekëndësh jo domethenës të paktën për biznesin, industrinë, financat e me radhë. Pandemia le të themi na nxori skleletin e ekonomisë tonë, i cili ishte shumë fragil, ishte me problematika të caktuara. Ne kemi problemin sistemik, nuk e kemi problemin e një sektori të veçantë.”, tha Shkodra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos