
Gjergji Vurmo nga IDM ka qenë kritik ndaj gjetjeve të Barometrit Ballkanik, të publikuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Sipas Vurmos, shkalla e refuzimit në këtë sondazh ka qenë shumë e lartë dhe kjo nënkupton se ai nuk është përfaqësues. Gjithashtu ai shton se gjetjet e Barometrit nga viti në vit nuk kanë ndryshuar duke nënkuptuar se me këtë sondazh ka një problem.
“Nuk jam i sigurt për të dhënat pasi ka shumë pikëpyetje. Ka shumë të dhëna që nuk mund t’i shpjegosh. Në një vend pandemik nuk është përmendur pandemia si shqetësim kryesor. Edhe çështje të tjera si krimi. Nacionalizmi nuk është shqetësim? Unë një sondazh e shikoj nga metodologjia. Në këtë rast është njësoj si të tjerat. Në momentin kur një sondazh nuk të thotë një gjë të re për disa vite atëherë ka një problem me sondazhin. Qasja që aplikon RCC është interesante. Do të ishte interesante të bëje pyetje se çfarë mendon publiku dhe çfarë mendon biznesi. Kompania që e ka bërë këtë sondazh gjithashtu shkruan se shkalla e refuzimit është e lartë rreth 55%.
Kohëzgjatja e intervistës është po ashtu e gjatë. Një sondazh në një vit pandemik ka qenë e pamundur të futeshe në shtëpinë e tjetrit. Sinqerisht nuk e di si e kanë bërë këtë sondazh. Një pyetësor që zgjat mbi 20 minuta bëhet shumë i lodhshëm. Sipas llogarive i bie që për çdo vend janë intervistuar 450-500 persona dhe kjo do të thotë që ai nuk është aspak përfaqësues. E pa shpjegueshme që në një vit pandemik askush të mos thotë që pandemia është një ndër frikërat e mia më të mëdha”, tha Vurmo. (A2 Televizion)