Adratik Lapaj, kreu i Shqipëria Bëhet, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, deklaroi se për shkarkimin e Erion Veliajt duhej pritur Gjykata Kushtetuese.
“Sa kohë u paraqit në Gjykatë Kushtetuese, dhe Gjykata Kushtetuese e mori si çështje, hodhi edhe shortin, unë mendoj se je i detyruar ta presësh. Për mua, kur e ka futur në sistem Gjykata Kushtetuese, nuk mund të dalë njeri mbi organin që bën vlerësimin përfundimtar të Kushtetutës”, tha Lapaj.
“Duhet pritur sa të shprehet Gjykata Kushtetuese nëse e ka futur në proces”, shtoi Lapaj.
Adriatik Lapaj theksoi më tej: “Kur u certifikuan zgjedhjet nga KQZ dhe dolën vankancat për 6 bashkitë, pse Presidenti nuk e bëri dekretimin e zgjedhjeve për bashkitë e tjera? Se humbi 3 javë kohë, të cilat mund të bënin të mundur që në bashkitë e tjera të ishin në proces normal. E kuptojmë ne që do ketë vetëm një javë fushatë për Tiranën? Si bëhet për një javë fushata? Unë jam habitur se si nuk ka folur njeri”. (A2 Televizion)