Zef Preçi, ish-ministër i Ekonomisë, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, komentoi reformën e kontrollit mbi territorin të prezantuar nga kryeministri Edi Rama së fundmi.
“Unë jam skeptik sa i takon këtyre që artikulohen si reforma, por në fakt janë arnime të deformimeve që sistemi i menaxhimit të territorit ka pësuar, sidomos gjatë dekadës së fundit”, tha Preçi.
Sipas tij, “ka qenë pikërisht qeveria, që në emër të vjeljes së detyrimeve për ujin dhe energjinë, ka inkurajuar hedhjen në regjistrat e Kadastrës të karabinave e po ashtu ka toleruar shitjen në gropë”.
Gjithashtu, ai shtoi se qeveria ka toleruar “investime me origjinë të dyshimtë, me kompani që ndryshojnë pronësinë”.
“Është një reformë si ajo e mbetjeve, strategjia për të cilat është në fuqi deri në vitin 2035 dhe askush nuk thotë se pse e braktisëm; siç ndodh me inspektoriatet, që janë ndryshuar më shumë se 3 herë. Është një përpjekje për të reflektuar në retorikën politike të ditës problematikën që kanë qytetarët, më shumë se sa si një mundësi për të korrigjuar”, theksoi më tej Zef Preçi.
(A2 Televizion)