





Në aeroplanmbajtësen e vetme të Rusisë ka rënë zjarr ditën e sotme. Lajmin e ka bërë të ditur media shtetërore ruse.
Në Admiral Kuznetsov, anijen flamur të Marinës ruse, ra një “zjarr i vogël” ndërsa ankorohej në kantierin detar Zvyozdochka në portin Arktik të Murmansk-ut, i vendosur në veriperëndim të Rusisë, sipas asaj që raportojnë agjencitë shtetërore ruse të lajmeve Tass dhe Ria Novosti.
Aleksey Rakhmanov, kreu i Korporatës shtetërore të Ndërtimit të Anijeve të Bashkuara, e cila po mbikëqyr riparimin e transportuesit, u citua të shprehej se zjarri u shua shpejt dhe nuk shkaktoi viktima.
Pas aktivizimit të vatrës së zjarrit, 20 persona u evakuuan.
Admiral Kuznetsov pritet që të dalë në det të hapur pas përfundimit të një projekti madhor riparimi. Anija ka pasur probleme teknike që nga dalja e parë në vitin 1985.
Në dhjetor të vitit 2019, ra zjarr në anije duke u marrë jetën dy personave dhe duke lënë të lënduar 11 të tjerë. Dëmet ishin të konsiderueshme. (A2 Televizion)