Aeroportit “Nënë Tereza” i shtohen 5 mijë metra katrorë terminal, Rama: Brenda 2030, kampionë të Ballkanit në turizëm  

Nga A2 CNN
31 Korrik 2022, 20:33 | Aktualitet

Terminalit të aeroportit “Nënë Tereza” iu shtuan sot 5 mijë metra katrorë, pothuajse  një terminal i ri sipas zëvendëskryeministres së re dhe njëkohësisht  ministres së Transportit dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, të ndërtuar gjatë muajve të fundit për t’u përballur me fluksin e turistëve.

Në përurimin e infrastrukturës, që parashikon edhe disa risi si leximi digjital i pasaportave, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Balluku shtoi se tashmë terminali i Rinasit “nuk ka asnjë ndryshim me terminale të tjera në Europë”, dhe se paralajmërohen punime të tjera si veshja dhe zgjatimi i pistës që do të shndërrojë “ Nënë Terezën” në një aeroport të kategorisë 4E, që mundëson edhe fluturimet transoqeanike, diçka që do të synohet sipas ministres edhe në aeroportin e Vlorës në ndërtim.

Sipas kryeministrit Rama, “terminali u ndërtua në kohë rekord sepse po përballej me një presion të jashtëzakonshëm, investim i munguar prej shumë vitesh për shkak të një marrëveshjeje të mëparshme me shumë probleme, me një kompani që nuk i qëndroi korrekt detyrimeve”.

Kryeministri Rama teston funksionimin e leximit digjital të pasaportave

Ndër të tjerat, sipas Ramës, “është vënë në funksion teknologjia e fundit e leximit të pasaportave, dhe të gjithë shtetasit shqiptarë nuk do të kenë më lexim manual me punonjësin e policisë, por do të kalojnë në barrierën digjitale, një proces që zgjat më pak se gjysmë minutë, diçka që do të lehtësojë fluksin e hyrjeve.  E njëjta gjë vlen për ata që kanë pasaportën e BE-se, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Britanisë së Madhe, ndërkohë që për të tjerë do të vijohet si më parë”.

Kryeministri nënvizoi se shifrat, që flasin për një rritje me 44% të pasagjerëve në 2022 në krahasim me vitin më të suksesshëm 2019, bëjnë ekzekutivin të mendojë se në fund të vitit mund të arrihet shifra e 4.9 milionë pasagjerëve, dhe se objektivi i mbi 8 milionë pasagjerëve i parashikuar brenda vitit 2030 mund të arrihet shumë më parë, duke e shndërruar vendin sipas tij në “kampionët e Ballkanit në turizëm”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos