“Afatet nuk kanë vlerë”, Pampuri: Mbyllja e dyerve për të parandaluar aktet e dhunshme

Nga A2 CNN
5 Janar 2022, 13:48 | Politikë
“Afatet nuk kanë vlerë”, Pampuri: Mbyllja e dyerve

Ultimatumi i Komisionit të Rithemelimit të PD-së për largimin nga zyra të Lulzim Bashës sot më 5 janar, nuk ka asnjë vlerë për deputeten demokrate, Orjola Pampuri. Në Ditarin në A2 CNN, ajo tha se nuk ka arsye që një grupim të vendosë afate për të larguar kryetarin nga selia. E gjitha kjo, sipas Pampurit erdhi pas vendimit të Bashës për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar.

 “Afatet për këdo që kërkon një Shqipëri ndryshe e europiane nuk kanë vlerë. Çdo vend funksionon në bazë të ligjeve dhe ne kemi bërë beteja që të zbatohen ligjet dhe ne vetë nuk zbatojmë statutin e PD-së. Nuk ka arsye që një grupim të vendosë afate për të larguar kryetarin nga selia. Ky grupim u bë prej 4 muajsh që ishte kundër vendimit të Bashës pas vendimit për Berishën, më pas u thirr një protestë kundër Vuçiç, dhe mesa kuptoj nuk ishte për të pasi Vuçiç ka ardhur disa herë në tiranë, por ka qenë kundër Bashës”.

Pampuri i cilëson qesharake lëvizjet e këtij grupimi dhe u sugjeron që të marrin një godinë tjetër dhe jo zyrën e Bashës.

“Që të vihen afate nga grupime të tilla që pretendojnë se kanë bërë lëvizje të rëndësishme, besoj ta çojnë seriozitetin deri në fund. Meqë e pretendojnë veten shumicë të marrin nje godinë tjetër dhe të mos bëjnë këto lëvizje qesharake. Pse duhet me domosdoshmëri të kërkojnë zyrën e Bashës, të shkelmojnë dyer që nuk është e hijshme për personazhe që kanë pasur poste të rëndësishme në politike 30 vite dhe nuk është e hijshmë të kërkojnë të rikthehen në politkë në forma të tilla”.

Mbylljen e dyerve të selisë, deputetja demokrate e konsideron normale dhe si masë për të parandaluar akte të dhunshme.

“Është normale që një seli të lyhet dhe të merren masa. Nuk janë të hijshme pamjet. Më është dhimbsur logoja e PD-së kur ka qindra mijëra demokratë që e votojnë PD-në të shohin skena të tilla brenda forcës opozitare. Nuk është dhuna ajo që na çon drejt Europës, është argumenti dhe kur ky mungon përdoret dhuna. Sa i takon dyerve, është një mënyrë për të parandaluar akte të tjera të dhunshme. Duhet të kishte tolerancë, rrjedhë logjike e mirëkuptim se nuk është çështja e interesave tona, por për fatet e Shqipërisë. Dhe sjellje të tilla nuk i vijnë në ndihmë Shqipërisë, por personazheve brenda atij grupimi”.

E pyetur që përse nuk pranojnë të bëhen zgjedhje sërish në parti, Pampuri thekson se ato nuk mund të bëhen sa herë një grupim shfaq pakënaqësi, por shton se zgjedhjet janë bërë dhe nuk janë kontestuar as nga Berisha.

“Pse t’i pranojmë zgjedhjet? Zgjedhjet janë bërë, nuk mund të bëjmë zgjedhje sa herë një grupim shfaq pakënaqësi. Zgjedhjet janë bërë dhe nuk janë kontestuar. Mendoj që nuk duhet ta çojmë çështjen deri këtu. Pas 4 vitesh, po”.

Ajo shton se në PD nuk mund të rikthehen personazhe që kanë qenë stoikë për 30 vite dhe thekson se duhet të ketë qarkullim elitash në të mirë të vendit për betejën me Ramën.

“Çdo forcë politike ka qarkullim elite dhe s’mund të qëndrojmë stoik me personazhe të tjera që duan të rikthehen e të mbajnë të distancuar elita të tjera politike. U bënë 4 muaj që ne kemi harruar kundërshtarin politik që është Rama dhe jam e bindur që çdo demokrat betejën e ka me Ramën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos