Agresiviteti i gjuhës në fushatë, ekspertët: Shenjë që rezultati është i ngushtë

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 23:24 | Politikë
Agresiviteti i gjuhës në fushatë, ekspertët: Shenjë

Komunikimi politik midis palëve që sfidohen ne zgjedhjet e 25 prilli po behet gjithmonë e më e ashpër. Për analisten Edlira Gjoni, “ndihesh keq që 2-3 ditë para zgjedhjeve presidenti të përdorë tonin që përdori sot, Rama po ashtu, dhe PD nxjerr furgonat e një strukture paralele”.

Për sa i përket presidentit Meta, “edhe pse nuk po bën një fushatë për një palë patjetër që po ndikon klimën e zgjedhjeve, në vend që të qetësojë. Në qoftë se ka diçka kundër kryeministrit pse nuk mund të zgjidhen kanalet e tjera, duket se zgjedhin hapësirën mediatike në kurrizin tonë.  Ekranin në hapësirën publike e shfrytëzojnë ato palë që nuk kanë mundësi të tjera”.

Sipas saj,  “i vetmi që nuk po i hedh benzinë zjarrit është Lulzim Basha, sepse  qoftë Rama dhe Meta ka përdorur gjuhë të ashpër veçanërisht ndaj njeri tjetrit, sepse Rama e ka injoruar Bashën.

Ndërkohë sipas Ilir Kalemajt rritja e tensionit varet nga rezultati që parashikohet i ngushtë. “Ne kemi patur 10 palë zgjedhje nga 1991. Të dy palët kanë qeverisur pak a shumë njësoj, kemi pasur situata konfliktuale aty ku rezultati ka qenë i ngushtë, dhe unë besoj se drejt këtij rezultati do t’i drejtohemi. Rezultati i ngushtë, mungesa e Kushtetueses, paqartësia e Kodit Elektoral, vakumi 5-mujor deri në qeverinë e ardhshme e bëjnë problematike këtë periudhë .Politika është kaq konfliktuale sepse palët kanë shumë për të humbur, dhe ata shihen si armiq dhe jo si kundërshtarë. Basha është munduar për një fushate më pozitiviste, kur për kontrast fushata ka qenë më shumë negativiste, mbi të metat e të tjerëve”, tha ai për Absolut 4.

 Por sipas tij kjo fushatë ka edhe diçka pozitive. “Ka edhe gjera pozitive. Në Shqipëri ka 127 parti, pjesa më e madhe fantazëm, të drejtuara nga një person i vetëm dhe pa anëtarësi. Ky numër është zvogëluar sot, 46 parti të regjistruara, dhe ndërkohë kanë dalë disa parti që shtojnë ofertën politike si ato te dala nga PD ose nisma Thurje. Listat e hapura mund të kritikohen se duken më shumë të mbyllura,  por gjithsesi jepin një shtysë sado të vogël që njerëzit mund të dalin të votojnë”, thotë ai.

Ndërkohë, Gjoni flet për një elektorat përgjithësisht të lodhur, ku përtej moshave të treta që janë më militantë, mbetet për t’u parë numri i lartë i atyre që janë simpatizantë, dhe identifikon një parti në veçanti që ka më nevojë për ta. “Të larguarit gjatë këtyre viteve janë kryesisht votues të djathtë, dhe për shkak të pandemisë nuk do të kthehen. Pra e humbura e madhe është PD në këtë pjesë, dhe duhet të bind ata që janë mbështetës ose simpatizantë, por që duhen bindur përndryshe nuk shkojnë të votojnë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos