Në ditët e fundit të fushatës elektorale dy kampet kryesore të garimit po mundohen të tërheqin sa më shumë vota për të siguruar qeverisjen e katër viteve të ardhshme.
Mesazhe të shumta nga politikanët, nëpërmjet komunikimit, gjesteve, veshjes, kanë bombarduar qytetarët. Por sjellja e liderëve politikë ka qenë edhe në vëmendjen e ekspertëve të fushave të ndryshme.
Përtej imazhit dhe entuziazmit në takimet publike, përtej spoteve të fushatës që në ditët e fundit janë dukshëm më pozitiviste, tensioni nuk mund të fshihet.
“Komunikimi jo-verbal përmes lëvizjeve të trupit shpreh një formë agresiviteti, dhe kjo shihet jo vetëm në komunikim verbal, tregon një gjuhë dhune që është e pahijshme, sepse elektorati do të dëgjojë argument, dhe të bindet për të votuar”, thotë për A2 Arjana Muçaj, shefe e departamentit të psikologjisë në fakultetin e Shkencave Sociale.

Gjuha e ashpër e komunikimit sipas shefes së departamentit të Psikologjisë është një ndër arsyet e ngjarjeve të ndodhura së fundmi. E toneve të liderëve politikë të kësaj fushate zgjedhore këtë herë ju është bashkuar edhe presidenti i Republikës.
Por cili është komunikimi që vjen nga veshjet? Këtu kandidatët kanë bërë përmirësim. Përshembull në shumicë dërrmuese kanë tentuar të heqin kostumin e zyrës e të veshin bluzat me kapuç, për herë të parë komode për shkak se nuk kemi zgjedhje në verë.

Nga të dyja kampet ka një revolucion për sa i përket veshjeve. Kemi zotin Basha që është liruar nga ai formalizimi i mëparshëm, ka hequr kollaret, por nuk tradhton ngjyrat strikte, ndërkohë që zoti Rama bën gjithmonë zhurmë me ngjyrat që përdor”, analizon stilistja Anila Konomi.
Shembullin e liderëve politikë kanë adoptuar edhe stafet elektorale si dhe kabinetet e tyre drejtuese në fushatë. Sipas eksperteve shohim të njëjtën gjë edhe te kandidatët për deputet si dhe ministrat aktual të qeverisë. (A2 Televizion)