Struktura për mbrojtjen e votës në PD, Alibeaj: Çdo individ është i autorizuar nga kushtetuta për ta mbrojtur

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 20:57 | Politikë
Struktura për mbrojtjen e votës në PD, Alibeaj: Çdo

Kandidati demokrat në zgjedhjet e 25 prillit Enkelejd Alibeaj tha se çdo individ është i autorizuar nga kushtetuta për të mbrojtur votën, duke argumentuar në këtë mënyrë ngritjen e strukturës për mbrojtën e votave në Partinë Demokratike. Në një lidhje Skype në Ditari në A2 CNN, ai tha se fenomeni i shitblerjes së votës dhe presioni i administratës janë pjesë e gjuhës së përditshme politike dhe juridike dhe në këtë aspekt çdo qytetari i lind e drejta të veprojë dhe ndërpresë çdo lloj veprimtarie kriminale. Duke sjellë në vëmendje dosjet 184 dhe 339, Alibeaj theksoi se përdorimi politik i pushteteve dhe përdorimi politik i grupeve kriminale janë rreziku kryesor i demokracisë në vend.

“Në ka një mëkat në demokraci që nuk falet është vjedhja e votës dhe në rrafshin kushtetues është e qartë që cdo individ është i autorizuar nga kushtetuta për të mbrojtur votën. Nuk është për herë të përë si fenomen presioni i shitblerjes së votës dhe presioni i administratës janë pjesë e gjuhës së përditshme politike dhe juridike. Ju sjell dosjet e famshme 184 dhe 339. Përdorimi politik i pushteteve dhe përdorimi politik i grupeve kriminale janë rreziku kryesor i demokracisë në vend. Në aspektin e moralit dhe së drejtës çdo njeri është i autorizuar të mbrojë pasurinë e vet që është vota. Ka dispozitat që autorizojnë qytetarin e ndershëm që vihen në dijeni për ngjarje të ndëshkueshme duhet të jetë ai që duhet të veprojë dhe ndërpresë çdo lloj veprimtarie kriminale. Për këtë arsye qoftë në rrafshin e së drejtës e moralit dhe ligjit çdo individ ka të drejtën e vet të mbrojë edhe të jetë sidomos në një situatë të tillë pasi fondet e krimit dhe korrupsioni politik ia cenojnë. Çdo strukturë e PD, çdo simpatizant i yni dhe çdo njeri që është bashkangjitur opozitës dhe PD nuk kanë nevojë të instruktohen, sesa e kanë ndjesi të brendshme nevojën për ndryshim dhe mbrojtur këtë votë masive që do derdhet në 25 prill nga çdo lloj kërcënimi. Çdo shqiptar e demokrat e ka detyrim ndaj vetes e familjes për të mbrojtur votën e të ardhmen e tij”.

I pyetur nëse ka njerëz të armatosur në PD që mbrojnë votën, Alibeaj e mohoi kategorikisht dhe tha se e vetmja armë e strukturave të PD-së janë shqiptarët dhe e drejta morale për të mbrojtur votën. Sipas tij PD ka ndjekur rrugën institucionale për të denoncuar këtë fenomen dhe njoftoi se vetëm për qarkun e Fierit ka depozituar 75 kallëzime penale. Alibeaj ka paralajmëruar se kushdo që do të cenojë votën e qytetarëve fierakë do të marrë përgjigjen e merituar.

“Absolutisht jo. E vetjma armë që kanë strukturat tona dhe shqiptarët është e drejta dhe morali për të mbrojtur votën e ndershme. Ajo që kemi ndjekur ne është që për çdo lloj tentative për deformimin e votës, legalizimit, punësimet e deri te shitblerja e votës nga ana jonë do të ndiqet rruga institucionale. Në Fier, Lushnje e SPAK janë depozituar prej meje 75 kallëzime penale në SPAK. Ligji në mos sot nesër do të veprojë dhe është e udhës dhe legjitime që sot t’i vendosim ata në kushtet kur duhet të vihen në aktivitete. Duhet të ishte policia e prokuroria që papritur tringëllimat që mund t’i vijnë nga ana jonë, duhet të ishin të përqendruara. Ne kemi bërë detyrën tonë morale dhe ligjore. Kushdo që cenon votën e qytetarëve fierakë do të marrë përgjigjen e merituar”.

Alibeaj u shpreh i bindur në fitoren e opozitës në 25 prill dhe tha se nevoja për ndryshim ka lindur jo vetëm prej lodhjes 8-vjeçare të kësaj qeverie, por ngaqë kanë një ofertë njerëzore. Për Alibeajn opozita përveç fitores në zgjedhje ka edhe mision që zgjedhjet nuk duhet të jenë arenë lufte, por qytetarie.

“Ne jemi të interesuar që jo vetëm të jemi fitues në garën elektorale por kemi edhe një mision tjetër për të dhënë leksionin që zgjedhjet nuk janë arenë lufte, kultivimi i qetësisë dhe edukatës e qytetarisë duhet të jenë ato që mbivendosin. Ne nuk kemi asnjë shtysë për të ndryshuar qasjen tonë. Në 25 prill do të ndodhë ndryshmi i thellë.  Ajo që ka qenë qasja jonë në fushatë ka qenë të folurit me zë të ulët se shkon në veshin e shqiptarëve, në këtë depresion ekonomik duhet te flitet në mënyrë të sinqertë me shqiptarët që të dëgjojnë. Në Fier kam 3 muaj dhe kemi parë se njerëzit kanë reaguar dinë të gjykojnë të shkuarën kërkojnë thjesht dhe vetëm ndryshim, kjo revoltë e brendshme ka lindur jo vetëm prej lodhjes 8-vjeçare por se kanë edhe një ofertë njerëzore që është kjo e jona”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos