
Për të komentuar ngritjen e strukturave të posaçme të PD-së për mbrojtjen e votës, analisti Ilir Kalemaj sjell në vëmendje situatën në zgjedhjet e 2017-ës, ku pavarësisht se PD iu dhanë disa ministri, nuk pati asnjë kontroll mbi shitblerjen e votës dhe deformimin e saj. Sipas tij me ngritjen e këtyre strukturave PD synon t’i çojë një mesazh elektoratit të saj dhe të lëkundurve se do të ruajë integritetin e votës. Në “Absolut 4” ai thekson se në Shqipëri votat në Shqipëri nuk vidhen në kuti, por blihen muaj më parë përmes mekanizmave të tjerë.
“PD provoi në 2017, po ishin një sërë çështjesh që punuan kundër PD, të gjithë dolën të ndarë në lista, por provoi faktin që megjithëse ju dhanë disa ministri nuk pati asnjë kontroll mbi shitblerjen e votës dhe deformimin e saj. Shqiptarët përkrahin të fortin, që është në gjendje të marrë e mbajë pushtetin, dhe synon t’i japë meazh elektoratin të saj dhe të lëkundurve se ajo do jetë aty për të ruajtur integritetin e votës. Votat nuk vidhen më në kutitë e votimit, në asnjë nga vendet e demokracive në zhvillim. Rasti i Shqipërisë është ilustrues se votat shitet dhe blihet muaj më përpara përmes mekanizmave të punësimit, klientelës, parave fizike, thesit të miellit, premtimit për një vend pune, shantazhit”.
Pa dashur të legjitimojë ngritjen e këtyre strukturave, Kalemaj shton se në vendin tonë penetron paraja kriminale që tjetërson rezultatin zgjedhor
“Ne jemi vend me varfëri relative dhe kemi pasur këtë fenomen të shitjes së votave të shtrirë në mënyrë kapilare kemi penetrim të parasë kriminale për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor. Nuk dua të legjitimoj as ngjarjen e Elbasanit, as ngritjen e strukturave të PD për mbrojtjen e votës. Kemi dy palë që herë herë sillen edhe si banda dhe kjo tremb qytetarin”.
Sa i takon ngjarjes së një dite më parë në Elbasan ai thotë se studimet ndërkombëtare e kishin treguar si zonë risku, pasi është vend tranzit për lëndët narkotike.
“Edhe te studimi dilte Elbasani si zonë e riskut, kishte pritshmëri dhe konflikt atje do ishte përtej normales, do prodhonte ngjarje që nxisnin reagim të fortë. Elbasani është urë tranzit për trafikun e lëndëve narkotike sikundër tregojnë raportet e fundit ndërkombëtare. Vitet e fundit ka prodhuar ngjarje elektorale që kanë përfunduar në vrasje e plagosje që mendoj se duhet të ishte superuar pas 3 dekadave tranzicion”. (A2 Televizion)