
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj iu kundërpërgjigj deputetit demokrat, Edmond Spaho, në lidhje me rritjen e çmimeve dhe masat e qeverisë. Spaho i cilësoi propagandë masat e qeverisë dhe kërkoi heqjen e akcizës për naftën, duke sjellë shembullin e Kroacisë. Në përgjigje të tij, Ahmetaj i cilësoi gënjeshtra deklaratat e deputetit demokrat dhe tha se paketa e qeverisë është e duhura, por jo e mjaftueshme, pasi nuk dihet kur mbaron lufta.
“Çmimi i naftës për të vërtetën e qytetarëve: ti gënjeve dhe vetëm gënjeve. Në këto raste, ngacmimi i emocioneve negative duke gënjyer, nuk është dinjiteti i asnjë politikani, as mua, as ty. Çmimi në 2010 ka qenë 2 mijë lekë të vjetra dhe nuk ka pasur taksë qarkullimi. Ku ishin ato para, ia çuat oligarkëve? 449 mijë ton ke importuar kur ke qenë në qeveri. Ku kanë qenë të tjerat? Pse vjen me dy standarde? Po në ‘94 që theve embargon e mban mend, apo u shpëlave, kalove Osumin e Shkumbinin dhe u shpëlave, kalove i pastër? A është paketa e duhur? Po, është e duhur. A është e mjaftueshme? Nuk e dimë kur mbaron lufta... A e dini që çmimi i grurit është rritur dyfish, a e dini që çmimi i energjisë ka kaluar 260 dhe luhatet? Me 52 euro. Ti je ekonomist dhe nuk të falet. Po në buxhet e kemi parashikuar se është pjesë e paketës për të ndihmuar qytetarët. Mbështetja me diferencën e çmimit shkon 150 milionë dollarë dhe sot që e kemi kaskadën të supermenaxhuar mirë, kemi nevojë të blejmë se nuk jemi profetët që sjellim shiun. Kjo është paketa më e madhe, nuk është e mjaftueshme. Nuk ka qeveri në Europë të bëjë këtë që ka bërë qeveria shqiptare me energjinë. Nuk e ka bërë, nuk e ka prekur çmimin. Paketa është e rezistencës sociale. Ekonomia për shkak të luftës është vetë në luftë, që edhe qeveritë po të përpiqen t’i kontrollojnë nuk i kontrollojnë dot. Bordi i Administrimit të naftës, po bën transparencë mitikuloze me shumë sukses, ndryshon çmimi në bursë, ndryshon dhe në tabelë, po asnjë nuk vendos dot çmimin në bursë?”, tha Ahmetaj.
Spaho tha se Rama po sfidon qytetarët e vet në protestë, ndërsa masat e qeverisë janë propagandë dhe jo ndihmë për qytetarët. Sipas tij, duhet të ulet taksa e qarkullimit dhe të rimbursohen familjet shqiptare.
“Ndërsa një ministre thotë se unë e përdor makinën se jam ministre. Turp t’i vijë Ramës kur familjarë të ministrave të tij bëjmë tregti me rusët. Komiteti që ka ngritur Kryeministri mbron oligarkët. Oligarkët fitojnë sot 260 lekë më shumë për një kile naftë. Kroacia e hoqi akcizën për naftën, Kosova vendosi kontroll, Maqedonia e uli çmimin e naftës, Greqia ka paraqitur paketë, Franca uli taksat, Polonia uli 40%, po qeveria shqiptare? Të gjitha masat që keni marrë janë propagandë, mos thoni që është masë për të mbrojtur qytetarët, mos thoni që është masë ndihme. Mbështetja për fermerët është gënjeshtër. Po për uljet e tatimit për pagat, përfiton qeveria se rriten kontributet. Edhe për energjinë e jeni në buxhet. Mos harroni se 20% e çmimit keqpërdorohet. E menaxhoni keq, mos shko të vjedhësh e shisni lirë e blini shtrenjtë. I thotë qytetarëve mos shkoni të blini bukë me makinë. Ju si qeveri dilni në rrugë dhe shihni qytetarët, jo të dalësh të thuash eci me makinë se jam ministri. Duhet ulur taksa për qarkullimin, e paguajmë dy herë. Njëherë kur shkojmë tek automjetet dhe njëherë tek akciza e karburantit. Në cilën kohë të qeverisjes është hequr kjo, të rimbursohen të gjitha familjet shqiptare”. (A2 Televizion)