
Tirana i propozon vendeve të rajonit të bashkëpunojnë me kompanitë fasone në Shqipëri për të prodhuar veshjet për stafet mjekësore që janë në luftë me Covid-19.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i është drejtuar pëmes një letre zyrtare ministrave të Ekonomisë të vendeve të rajonit e BE, duke i kërkuar mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë fason në Shqipëri, për prodhimin e veshjeve të specializuara në mjekësi dhe uniformave të policisë e ushtrisë.
Nisur nga situata e Covid-19, sipas ministrit, kompanitë shqiptare të fasonit e kanë orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekët, policinë dhe ushtrinë.
Në këto kushte, sipas tij, bashkëpunimi me vendet partnere, nga njëra anë i jep një frymëmarrje jetike sektorit dhe nga ana tjetër furnizon nevojat e shteteve që në këtë periudhë shkojnë përtej kapaciteteve të tyre. (A2 Televizion)