
Prej muajsh në Kuvend janë paraqitur amendamente për ligjin e akademisë së shkencave, ku kundërshtia më e madhe publike ishte përpjekja e kreut të Akademisë Skënder Gjinushi dhe pranimi i mazhorancës socialiste për të vijuar edhe një mandat tjetër në detyrë. Por në seancën dëgjimore në Komisionin e medias, akademiku Artan Fuga nënvizoi tjera aspekte që i bëjnë këto ndryshime ligjore të papranueshme, duke krijuar kontradikta mes dispozitave të vetë ligjit.
“I gjithë ekipi drejtues në bllok të ketë mundësi të rizgjidhen në funksion për 2 mandate e në vazhdimësi. Anëtari i kryesisë e ndërpret mandatin nëse mbush 75 vjeç sipas amendamenteve. Hiqen këto dy nene për të zgjidhur problemin e drejtimit. Këto bien në kundërshtim me disa nene të tjera të ligjit për Akademinë e Shkencave. Këto ndryshime janë bërë pas shpinës së akademikëve”, tha Fuga.
Ndonëse akademiku Fuga i drejtoi pyetje mazhorancës socialiste në lidhje me objektivin që duan të arrijnë me amendamentet ligjore, nuk e mori asnjë përgjigje. Në vend të kësaj një prej firmëtarëve të kësaj nisme, deputeti socialiste Ismet Beqiraj, i pa reagimet e Fugës si një dëshirë për të drejtuar Akademinë e Shkencave.
“Ju nuk e kini që qëllim për këtë aksion që ndërmerrni. Ndërsa mua më rezulton ndryshe si i deklaruar publikisht me synimin për të qenë kandidat për vendin e punës”, tha Beqiri.
“Beqiri të japë përgjigje pyetjeve të Fugës jo të bëjë pyetje, apo të kritikojë nëse Fuga ka ambicie apo jo. Pse ku jemi këtu në komunizëm? tha Zhupa.
Mazhoranca socialiste kërkon që ndryshimet ligjore të Akademisë së Shkencave t’i kalojnë në votim në seancën e radhës plenare, ndërkohë që Fuga nuk e ka përjashtuar mundësinë që të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat për ankimimin e ligjit edhe në Gjykatën Kushtetuese. (A2 Televizion)