Debate tek ligjet, PD-PS përplasen për Arben Ahmetajn dhe Rrahman Rrajën

Nga A2 CNN
10 Korrik 2023, 15:33 | Politikë
Debate tek ligjet, PD-PS përplasen për Arben Ahmetajn dhe Rrahman

Diskutimet për projektligjet për lustracionin mbetën në plan të dytë. Deputetët e opozitës dhe maxhorancës këtë të hënë fokusin e kishin tek zhvillimet e fundit, ku SPAK kërkon arrestimin e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetajt dhe familjarët e deputetit Rrahman Rraja janë në kërkim për dhunën makabre të ushtruar ndaj dy personave. Mjaftoi vetëm një pyetje e socialistit Toni Gogu për të ndezur diskutimet dhe akuzat mes deputetëve.

“Pse ndryshuat qëndrim ju apo e kuptuat që nuk mund të merrnit më shumë vota se një ish-sekretar partie dhe se një i dyshuar për spiun”, tha Gogu.

“Këto diversionet që bën ti, janë fiks si të Sigurimit të Shtetit”, deklaroi Oerd Bylykbashi.

“Me çfarë morali flet t’i që je kolegu i Rrahman Rrajës që e di gjithë bota se çfarë bënë. Që je kolegu i Ahmetajt”, u shpreh Alibeaj.

Edhe pse demokrati Aliebaj kërkoi një distancim të socialistëve nga dy rastet e fundit, Gogu mori në mbrojtje kolegun e tij të dorëhequr pak ditë më parë.

“Unë besoj se ka vendosur se ka vendosur një standard që ne të dy si prind, duhet ta vëzhgojmë dhe ta respektojmë. Për sa i përket Ahmetajt, ky është një standard i vjetër me ligjin. Ne të gjithë jemi të barabartë para ligjit”, tha Gogu.

Gogu akuzoi kundërshtarët politikë se ata nuk bashkëpunojnë me drejtësinë kur thirren prej saj, por një përgjigje për këtë mori nga Gazment Bardhi.

“Ne shkojmë në prokurori, por si kallëzues dhe nga kallëzimet që kemi bërë ne është krijuar një grup parlamentar në burg”, u shpreh Gazment Bardhi.

Pas akuzave të opozitës, debatet vijuan me tone të larta dhe detyruan kryetaren e komisionit të ndërpriste përkohësisht mbledhjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos