Pas kërkesës së SPAK për arrestim, mblidhet nesër Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Nga A2 CNN
10 Korrik 2023, 14:10 | Politikë

Pas kërkesës së SPAK, i cili kërkoi arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj, bëhet me dije se, nesër në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar këtë kërkesë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit i ka kërkuar autorizim Kuvendit për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit të Financave dhe ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Ish-ministri po hetohet për “shpërdorim të detyrës”, “fshehje të të ardhurave”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave”. SPAK, bashkangjitur kërkesës për arrestimin e Ahmetaj ka dërguar në Kuvend edhe një dosje voluminoze.

Në fillim të muajit mars, agjentët e BKH-së kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij në Tiranë. Shtëpia në Hamallaj dhe një vilë në Palasë, që dyshohet se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, u vendosën nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme.

Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.

Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/10/pas-kerkeses-per-arrestim-spak-zbardh-akuzat-ndaj-arben-ahmetajt/
https://a2news.com/2023/07/10/spak-kerkon-autorizim-ne-kuvend-per-arrestimin-e-ahmetajt/

A2 CNN Livestream

Latest Videos