
A2 CNN u rikthye sërish në pikën më të rrezikshme rrugore në qarkun e Elbasanit dhe e gjeti atë në të njëjtën gjendje, në mos më keq.
Asnjë investim, asnjë ndërhyrje për të siguruar jetën e qindra udhëtarëve që janë të detyruar të përdorin këtë aks rrugor që lidh bashkinë e Peqinit me atë të Belshit si dhe fshatrat që janë rreth tyre.
Ndërkohë, banorët vijojnë të apelojnë për rrezikshmërinë e këtij segmenti. Madje disa nga përdoruesit e kësaj rruge, nëse mund të quhet e tillë, tani kanë nisur të bëjnë edhe humor me hallin që kanë.
Sikur të mos mjaftojë rreziku, gropa që thuajse ka përpirë rrugën, tanimë ka filluar të mbushet edhe me mbeturina dhe me këto ritme shumë shpejt nuk do të ketë asnjë ndryshim me një vendgrumbullim mbetjesh të paligjshëm. (A2 Televizion)