
Për aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë, ku humbën jetën 4 persona dhe u plagosën disa të tjerë ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta. Në një mesazh në rrjetet sociale kreu i qeverisë u bën apel qytetarëve për përgjegjshmëri të lartë dhe kujdes në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të shmangen tragjedi të tilla në të ardhmen.
Gjithashtu Meta i bëri thirrje edhe Policisë që të marrë çdo masë për parandalimin e aksidenteve që bjanë bërë të shepshta në Shqipëri.
Mesazh i presidentit Meta për aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë:
Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë.
Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre!
Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!
Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen.
E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë. (A2 Televizion)