
Këshilli kombëtar i demokratëve do të mblidhet pasditen e së hënës së 30 gushtit. Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi ka njoftuar të gjithë anëtarët e këshillit ku ka përcaktuar edhe rendin e ditës të kësaj mbledhje.
Këshilli Kombëtar do të duhet të zgjedhë kryetarin e kësaj strukture. Më pas në bazë të propozimeve që do të vinë nga kryetari Lulzim Basha ose nga një grup i anëtareve të këshillit. Kjo strukturë do të zgjedhë edhe kryesinë e re, duke filluar me nënkryetarët e partive dhe sekretariatet e saj. Pasi të përfundojë votimi për kryesine e re do të njoftohet edhe përbërja e kryesisë së grupit parlamentar të demokratëve në parlamentin e ri.
Që pas miratimit të statutit të ri të Partisë Demokratike, bazuar në propozimet e kryedemokratit Basha në Këshillin Kombëtar të demokratëve do të krijohen departamente të cilat do të kenë një rol të rëndësishëm për këshillimin e kryetarit dhe strukturave më të larta ligjvënëse te demokratëve. Pika e fundit e diskutimit do të jetë edhe përcaktimi i drejtuesve të këtyre departamenteve. (A2 Televizion)